Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli është kthyer sot në Prishtinë pas intervistimit nga Gjykata Speciale.
Ai nuk ka deklaruar se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja dhe asgjë nga intervistimi, veçse ka falënderuar masën e cila po e
priste para dyerve të aeroportit “Adem Jashari”.
Para simpatizantëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, Veseli uroi për paqe dhe qetësi për popullin e Kosovës.
Ish-komandanti i UÇK-së, tash kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dje ka qëndruar në Hagë ku është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, pas ftesës që i kishte ardhur më 7 nëntor.
Ai u kthye sot në Kosovë ku u prit me brohoritje nga përkrahës dhe simpatizantë të tij, të cilët u shprehën se besojnë në Veselin dhe luftën e pastër të UÇK-së.
“Sa më shumë paqe, qetësi për popullin tonë, Zoti e mbrojt Kosovën, lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Gjithmonë krenarë, përjetë!”, tha Veseli.
Kadri Veseli i cili u ftua nga Gjykata Speciale lidhur me luftën e UÇK-së, nuk ka treguar se a e ka marrë ftesën në cilësinë e dëshmitarit apo personit të dyshuar.
Intervistimi i tij në zyrat e Speciales në Hagë është zhvilluar dje dhe ka zgjatur tri orë