Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka reaguar përmes Facebook-ut, pas lajmit për lirimin e parakohshëm të kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish-pjesëtar i njësisë “Akrepat” nga Gjykata në Beograd.
Veseli ka shkruar se lirimi i tij është një akt i turpshëm.
“Lirimi i parakohshëm i kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”, është një akt i turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani. Edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur”, ka shkruar Veseli.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian qartazi po funksionon me standarde të dyfishta.
“Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta”, është shprehur Veseli.
Kryetari i Kuvendit ka thënë se “Grupi Drenica” në anën tjetër po mbahen padrejtësisht në burg.
“Nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbër Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave. Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosove ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”, ka shkruar Veseli.
Kadri Veseli është shprehur se si kryeministër do t’i shkojë deri në fund iniciativës për Tribunal.
“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal që në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë”, ka deklaruar Veseli.