Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, kreu i PDK’së, Kadri Veseli, thotë që qeevrisja e Albin Kurtit, brenda një muaji rrezikoi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk e kam besuar se do të vinte një ditë si kjo, që në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të flisnim në këtë mënyrë për rëndësinë e raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam besuar as që për vetëm pak ditë – kjo Qeveri do të krijonte kaq shumë paqartësi, kaq shumë frikë qytetare dhe dilema shtetërore”, tha Veseli.
Sipas kreut të PDK’së, për shkak të ideologjive personale, po rrezikohen raportet me SHBA’në.
“Dhe, më e rënda, mbase edhe për shkak të dogmave ideologjike personale – po sakrifikohet qytetari dhe shteti, në vend se të sakrifikohej dogma – për ta ruajtur qytetarin dhe shtetin. Pas një muaji shqetësimesh, të ditëpërditshme, kulmi po arrihet me paralajmërimet e fundit për Kosovën nga partneri ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së tha më tutje se me dëshirë në këtë seancë do të fliste për programin qeverisës, për premtimet e Qeverisë dhe kryeministrit.
“Edhe për t’i çuar hajnat në burg. Të gjithë hajnat në burg, pa dallime partiake. Të gjithë keqpërdoruesit. Të gjithë abuzuesit. Por, frikësohem se nuk jeni të sinqertë. Janë ndërtuar iluzione dhe po manipulohet me emocionet e qytetarëve”, tha Veseli.
“Më me dëshirë do ta kisha pritur dështimin tuaj të pashmangshëm, për katër vjet qeverisje, për shkak të premtimeve të pabazuara dhe të pambajtura, sesa ta shoh rrëzimin tuaj të shpejtë nga konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.
“Por, tendosja e shtetit, me krijimin e tensioneve të tilla të panevojshme, deri edhe me miqtë tanë më të mëdhenj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gabim jashtëzakonisht i rëndë. Është llogari e bërë keq”, tha Veseli.
Ai tha se kryeministri aktual po mendon se do ta mbajë nën kontroll dhe do ta menaxhojë orkestrimin e nisur për kultivimin e frymës anti-amerikane.
“A mund të na tregoni – çfarë po synoni të arrini me këtë qasje? A mund t’i garantoni qytetarët e Kosovës për sigurinë e tyre fizike dhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në gjithë hapësirën e territorit të Republikës së Kosovës? Çfarë garanci kanë qytetarët shqiptarë në shtëpitë e tyre në Veri të Kosovës?
A mund të garantoni se me politikat që po ndiqni, nuk largohen trupat amerikane nga Kosova? Cilët janë aleatët tuaj të rinj, në këtë rrugëtim tuajin, nëse trupat amerikane largohen nga Kosova? Cila është alternativa tjetër e politikës suaj karshi partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?”, ka thënë Veseli.
Për të gjitha këto, populli i Kosovës sot ka nevojë ta dëgjojë një përgjigje të qartë nga ju”, tha Veseli.