Bosnje e Hercegovina po përballet me ikjen e pjesëtarëve nga forcat e armatosura (OSBIH), për shkak të dështimit të institucioneve politike për të miratuar buxhet të mjaftueshëm.
Formimi i forcës shumëetnike në vitin 2005, u ndihmua nga NATO-ja dhe forca paqeruajtëse e Bashkimit Evropian. Formimi i saj ishte parë si arritja më e madhe e vendit, që nga përfundimi i luftës në vitet e 90-ta, duke bashkuar ish-armiqtë dhe duke promovuar stabilitetin e vendit.
Gjatë këtij viti, rreth 450 persona, përfshirë ata të punësuar në pozita civile, kanë lënë forcat e armatosura, e cila numëron 11,000 pjesëtarë, sipas ministrisë së Mbrojtjes, megjithëse potencohet se shumë nga ata kishin dalë në pension, vdiqën ose ndryshuan vendin e punës.
“Sistemi po shembet nga brenda sepse çështjet e statusit nuk po zgjidhen dhe politikanët nuk janë të interesuar t’i zgjidhin ato”, i tha agjencisë
Reuters Boshko Siljegovic, komisioner për ushtri i parlamentit të Bosnjës.
OSBiH, e cila bashkon elemente boshnjake, serbe dhe kroate të Bosnjës, është nën komandën supreme të presidencës tre-palëshe ndëretnike të vendit dhe parlamentit kombëtar.
“Pagat e ulëta janë problemi kryesor, ato janë më të ulëta sesa në forcat rajonale të policisë ose shërbimet shtetërore të të njëjtës gradë”, tha Siljegovic.
Pagat e ushtarëve, të cilët më parë kanë qenë rreth 400 euro në muaj, janë ulur në rreth 300 euro. Oficerët e rangut më të ulët të ushtrisë paguhen rreth 400 euro dhe oficerët e mesëm rreth 550 euro.
Legjislacioni që propozon ngritje të pagave është bllokuar në parlamentin kombëtar, i cili nuk është mbledhur për shkak të përplasjeve për formimin e një kabineti qeveritar pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, e ka vënë në dyshim rolin e OSBiH në rajonin autonom të Republikës Serbe, duke kërkuar një fuqizim të policisë rajonale.