Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe “Isa Boletini” në Mitrovicë janë në pritje të shqyrtimit të ankesës nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Të dyja këto universitete, bashkë me “Haxhi Zekën” e Pejës, nuk janë akredituar për të pranuar studentë të rinj në programet që ofrojnë. Nëse përgjigja për akreditim do të jetë negative, këto universitete do t’i drejtohen Gjykatës.
Në një përgjigje për Express nga zyra për informim e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, kanë thënë se varësisht nga përgjigja që do të marrin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, do të vazhdojnë me hapat e tjerë.
“Nëse marrim vendim pozitiv atëherë do të hapim konkurs për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2018/2020. Në të kundërtën do të ushtrojmë të drejtën e ankesës në Gjykatën kompetente. Ne besojmë se ankesa e UPZ është e bazuar dhe si e tillë do të miratohet nga KSHC ose Gjykata”, kanë thënë nga Universiteti “Ukshin Hoti”.
Tutje nga ky universitet thonë se vendimi për mosakreditim institucional ka qenë i pa bazuar në dispozitat ligjore dhe nënligjore dhe në gjendjen faktike dhe e ka dëmtuar imazhin e institucionit.
Njëjtë si “Ukshin Hoti” edhe Universiteti “Isa Boletini” është duke pritur shqyrtimin e ankesës nga KSHC’ja.
“Pasi që kemi pranuar vendimin për mosakreditim të Universitetit të Mitrovicës, “Isa Boletini” (UMIB), më 7 gusht 2019 e kemi dorëzuar ankesën në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA). Sipas procedurave përgjigja do të duhej të kthehej pas një muaji, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe nuk e dimë se kur do të ndodh, meqë sipas informacioneve që kemi nuk është duke funksionuar Komisioni i ankesave në AKA.
“Nëse ka qasje objektive, gjithsesi përgjigja do të jetë pozitive meqë vlerësimi nga grupi i ekspertëve për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, nuk ka qenë i bazuar në gjendjen faktike. Tashmë 20 programe studime janë të riakredituara dhe të gatshme që të presin studentë të rinj”, ka thënë për Express Ahmet Jashari, drejtor për Informim dhe Komunikim me Publikun në Universitetin “Isa Boletini”.
Jashari ka thënë se pamundësia për mospranim të studentëve të rinj dëmton Universitetin dhe të rinjtë e rajonit të Mitrovicës.
“Çdo vit akademik në UMIB janë pranuar rreth 1200 studentë të rinj, poashtu edhe sivjet kemi planifikuar të pranohen po aq studentë. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në këtë rajon, shumë prej tyre nuk do të kenë mundësi të studiojnë në Prishtinë apo të bëhen pjesë e kolegjeve private dhe kjo është tepër shqetësuese”, ka shtuar Jashari.
Jashari ka theksuar se nëse nuk do të ketë përgjigje pozitive nga KSHC’ja, do të vazhdohet me rrugët ligjore.
“Realisht nuk ka tjetër mundësi përveç mekanizmave ligjorë. Duke pasur parasysh peshën e këtij procesi ne presim që diçka të lëviz, meqë në të kundërtën do të ballafaqohemi me një situatë të komplikuar ligjore”, ka deklaruar Jashari.
Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, mirëpo nuk ka marrë ende përgjigje.
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren janë tri universitetet të cilat nuk u akredituan dhe të cilat nuk u pajtuan me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim të Kosovës.
Pas pranimit të vendimit për mosakreditim, këto tri universitete kanë bërë ankesë pranë Agjencisë për Akreditim, por ankesat e tyre nuk janë shqyrtuar ende për shkak se Komisioni për Ankesa ka dhënë dorëheqje javë më parë.
Universitetet publike të cilat nuk ishin akredituar, nuk kanë të drejtë të pranojnë studentë të rinj në këtë vit akademik, ndërsa studentët ekzistues, vazhdojnë studimet.