Qyteti bregdetar i Ulqinit ka bërë të gjitha përgatitjet për të pritur turistët këtë verë, ku të gjithë ata që këtë sezon do t’i kalojnë pushimet në këtë vend do të kenë zbritje prej 20 përqind të çmimeve.
Plazhet e Ulqinit janë bërë gati edhe sa i përket respektimit të masave për mbrojtje nga infektimi me virusin COVID-19.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, në një intervistë për KosovaPress, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të pritur turistët nga Kosova. Ai garanton se çmimet do të jenë më të volitshme dhe se siguria e turistëve do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Ka një zbritje edhe komuna e Ulqinit, por edhe të gjitha ato subjektet turistike në Komunën e Ulqinit, duke filluar prej hoteleve, plazhisteve, prej të gjitha atyre zinxhirit të ekonomisë të Komunës së Ulqinit. Do të thotë ato kanë me e dhënë një zbritje e cila nuk është e vogël, përveç asaj ajo zbritje është edhe për parking. Ka me qenë për të gjithë vizitorët që e vizitojnë Komunën e Ulqinit 20 përqind më e lirë se vjet”, thotë ai.
Nrekiq tregon edhe për lirimet që kanë bërë për ata që kanë shtëpi private në Ulqin.
“Edhe ka disa oferta të tjera njerëzit të cilët janë prej Kosovës i kanë shtëpitë në Ulqin edhe për ata ka me qenë një pagesë e cila është simbolike, jo simbolike po pagesë kur e paguan tatimin në pasuritë e patundshme duhet me e pagua edhe taksën turistike. E ata janë liruar prej taksës turistike sivjet”, thotë ai.
Në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19, i pari i Ulqinit thotë se i kanë marrë të gjitha masat për të ofruar siguri për turistët.
Ai deklaron se në secilën plazh dhe restorant do të respektohet distanca sociale, me qëllim që turistët të jenë të sigurt.
“Siguria është qind për qind, gjatë pandemisë ne kemi punuar të gjithë që me e përgatit sezonin turistike sa më të mirë dhe gjithashtu që çdo turistë që të vije të jetë më i sigurt në Ulqin…Disa masa të cilat duhet me u respektua, do të thotë distanca sociale, distanca në plazh prej çadrës në çadër 4 metër, restorantet 2 metër njëra prej tjetrës tavolinë”, deklaroi ai.
Sa i përket dyshimeve se në Mal të Zi nuk janë duke u raportuar rastet me COVID-19 me qëllim që të tërheqin turistët, Nrekiq thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“Nuk ka asnjë rast sepse ka kaluar ajo koha e inkubacionit ku nuk ka pasur asnjë rast, do të thotë asnjë rast të ri nuk është në Komunën e Ulqinit, as në Mal të Zi. Do të thotë tash e 30 ditë nuk ka asnjë të infektuar, vetëm një i importuar ka qenë një rast që ka ardhur nga Bosnja dhe ai është i izoluar dhe nuk ka pasur kontakt me askënd…150 përqind, do të thotë siguria e plotë”, thotë ai.
I pari i Ulqinit potencon se edhe të gjitha hotelet i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu ofruar siguri turistëve që do të kalojnë pushimet tek ata.