Një numër i madh njerëzish morën pjesë në funeralin e politikanes dhe aktivistes së njohur kurde të të drejtave të njeriut, Hevrin Khalaf.
Pavarësisht luftimeve, ishte e pamundur që ata të mos i jepnin lamtumirën e fundit 35-vjeçares.
Vdekja e saj në një rrugë ndërmjet Hasakah dhe Qamishli qe një provë mizore e destabilizimit të rajonit që tani është në prag kolapsi. Khalafin, një grua e fortë, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave civile, e përkushtuar për mbrojtjen e më të dobtëve, e njihnin të gjithë në Qamishli, Kobane dhe Raqqa.
Ajo kishte mësuar anglisht në një moshë shumë të re, ishte bërë inxhiniere dhe qe përkushtuar të ndihmonte gratë.
“Ishte gjithmonë e pranishme në takimet me delegacionet e huaja. Elegante dhe e matur, kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatët amerikanë dhe evropianë “, thonë bashkëpunëtorët e saj.
Mediat sociale lokale zbuluan detaje të frikshme rreth vdekjes së politikanes. Sipas disave duket se ka qenë viktimë e një prite të planifikuar mirë. Hevrin ishte nisur të merrte pjesë në një takim në Hasakah me disa aktivistë nga partia e re, ku ishte sekretare e përgjithshme, “Partia Siriane e Ardhmërisë”.
Por mbi makinën e saj u qëllua me mitraloz. Shoferi dhe një nga bashkëpunëtorët u vranë menjëherë. 35-vjeçarja u tërhoq zvarrë e u përdhunua përpara se të vritej me gurë në mes të rrugës. Mendohet gjerësisht se autorët e krimit janë forcat paraushtarake pro-turke që veprojnë në rajon.