I dyshuari për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, Agim Rexhepi, përfundoi në prangat e Antidrogës në një aksion të madh mbrëmjen e 4 majit.
Por, i njëjti u lirua gjatë ditës së sotme pasi ofroi një shumë të madhe dorëzanie. Megjithatë, Rexhepi u arrestua sërish vetëm disa orë pasi u lirua.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha për Klankosova.tv se Rexhepi është arrestuar pas hetimeve në kuadër të rastit “Qielli i Thyer” dhe se dyshohet për disa vepra penale.
Personi në fjalë është arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale nën dyshimet për veprën penale ‘krimi i organizuar’, ‘lidhje me trafikimin e narkotikëve’ dhe ‘pastrimit të parave’”, tha Luta.
Kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore, i cili nxori vendimin për lirimin e Rexhepit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar ankesë dje në Gjykatën e Apelit.
Vërejtje:
Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.














