Millorad Dodik, kryetari i enklavës serbe në BeH, e quajtur Republika Serbe, e ka ftuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të vijë urgjentisht në Banjallukë, raportojnë media të afërta me regjimin serb.
Sipas tyre, Vuçiq dhe Dodik kanë biseduar në telefon pasi gjykata në Bosnjë dhe Hercegovinë ka vendosur se Dodik është fajtor për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit së Lartë për BeH.
Ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të merret me politikë.
Mediat raportojnë gjithashtu se Vuçiq mund të udhëtojë sonte për t’u takuar me kryetarin e Republikës Serbe.
Të përkujtojmë se Dodiku dhe Vuçiqi janë parë për herë të fundit të hënën në mbrëmje në televizionin në shërbim të regjimit serb “Happy TV”.
Vuçiqi atëbotë ka deklaruar se nuk ishte i sigurt se cili do të ishte vendimi për Dodikun, por shtoi se ai ende ka shpresë se është e mundur një vendim pozitiv.
“Po shpreh mendimin tim personal. Unë shpresoj kështu. Por nuk mendoj se kjo do t’i ndalë përpjekjet e tyre për të rrëzuar kryetarin Dodik dhe për të rrëzuar Republikën Serbe. Unë jam pothuajse i sigurt se edhe nëse do të ketë një vendim pozitiv të mërkurën, nuk besoj se do t’i ndalojë ata”, ka thënë Vuçiqi.
Pas aktgjykimit të sotëm, Vuçiq nuk ka bërë asnjë deklaratë, por me sugjerimin e tij është caktuar seanca urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilën do ta drejtojë ai.