Nga rezultatet e deritanishme, duket se presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë Donald Trump. Ai rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi mposhti zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris. Ende pa u konfirmuar fitorja e tij, Trump u urua nga liderë botërorë. Fjalë të mira pranoi edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarë të partive opozitare, por një urim akoma s’e ka bërë kryeministri Kurti, i cili në muajin maj tha se Kosova e Evropa janë në ankth për rikthimin e mundshëm të Trumpit, e në shtator deklaroi se Kosova ka pasur gjuhë të përbashkët me administratën e Trump.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar fitorja e tij, Trump e ka shpallur atë. Gjatë fjalimit në Florida, ish presidenti Trump ka thënë se s’ka asnjë dilemë që do të jetë president i ri edhe për një mandat tjetër. Trumpit i duhet vetëm edhe 3 vota elektorale apo fitorja në një shtet ku i merr të gjitha votat elektorale për ta bërë fakt kthimin në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit të ardhshëm.
Për fitoren e tij ka pasur shumë reagime nga liderë botërore, përfshirë edhe disa nga figurat politike në Kosovë- presidentja Osmani dhe kryetarët e partive opozitare.
Presidentja Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës, duke shtuar se pret të punojë me administratën e re për të thelluar aleancën.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta @realDonaldTrump dhe @JDVance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara. SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë! ????????????????”, ka shkruar Osmani në “X”.
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës.
“Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë. Urime President Trump”, ka shkruar ai.
Ndërsa kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka thënë se rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është një interes nacional i popullit të Kosovës, duke e konsideruar këtë një faktor kyç për ecjen përpara të vendit.
Trump u urua edhe nga i pari i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai ka theksuar rëndësinë e udhëheqjes së Presidentit Trump për Kosovën dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kujtuar se nën drejtimin e tij, u krijua Ushtria e Kosovës.
“Urime popullit amerikan për një proces zgjedhor që pasqyron vlerat e demokracisë dhe fuqinë e vullnetit të lirë të qytetarëve të tij. Një urim i veçantë për Presidentin Donald Trump për zgjedhjen e tij,” tha Haradinaj, duke shtuar se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve dhe në konsolidimin e shtetësisë.
Kurti ende pa reagim
Në këtë valë urimesh mungon reagimi i kryeministrit Kurti.
Në muajin maj të këtij viti, Kurti ka thënë se “me kthimin e presidentit Trump ka njëfarë stresi dhe ankth në të gjithë kontinentin, e as Kosova nuk është ndryshe”.
Ai tha se nuk është se mundë të ndodhë diçka e keqe, por se ekziston frika për diçka të panjohur.
“Nuk është se mund të ndodhë diçka e keqe, por ekziston frika për diçka të panjohur. Çfarë do të bëjnë ata [SHBA] dhe si do ta mendojnë, si një urgjencë e caktuar mund ta rrëmbejë të gjithë agjendën – kjo është ajo për të cilën shqetësohen më shumë njerëzit”, ka thënë ai në një intervistë për “Semafor”.
“Ka disa aspekte të qeverisjes, politikëbërjes dhe opinionit publik me të cilat SHBA-ja në ditët e sotme po përballet për herë të parë,” tha ai.
Kurti tha gjithashtu se marrëdhëniet e tij jo të mira me ish-të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mund të jenë sfidë nëse Grenelli siguron një pozitë tjetër të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare në administratën e re amerikane.
Në intervistën dhënë për gazetën amerikane Financial Times, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe rreth raporteve me SHBA-në dhe mundësisë së rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president, pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Ndërsa në muajin gusht, derisa po merrte pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, Kurti ishte pyetur për ish-presidentin amerikan Donald Trump, me administratën e së cilit Kurti kishte mospajtime të thella.
Kurti tha se republikanët kanë një kandidat të pazakontë, por ai ka theksuar se vërejtja kryesore e Trump për vendet e NATO’s ka qenë që të investojnë në siguri së paku 2% të GDP-së.
Ai shtoi se Kosova e ka mbërritur këtë kuotë, përkundër se nuk është vend i NATO’s.
“Pa dyshim që kemi një situatë në të cilën Partia Republikane në SHBA ka një kandidat të pazakonshëm. Trump në raport me NATO’n ka pasur vërejtjen kryesore që shtetet anëtare do të duhej ta arrinin kuotën 2% të GDP për sigurinë. Kosovën është në anën e ndritshme sepse e kemi mbërritur këtë kuotë”, ka thënë Kurti.
E në muajin shtator, Kurti në një intervistë për Financial Times ka thënë se do të punonte me këdo që do ta merrte Shtëpinë e Bardhë, duke potencuar se Kosova ka pasur gjuhë të përbashkët me administratën e ish-presidentit Donald Trump, përfshirë edhe thirrjen për vendet evropiane të NATO-s që të rrisin investimet dhe shpenzimet për mbrojtje. /GazetaExpress/