Sindikata e punëtorëve të Trepçës ka kërkuar takim me menaxhmentin e ri, dhe ka ngritur alarmin se që një muaj në këtë ndërrmarje mungojnë aktivitetet e punës.
Lidhur me këtë, kryeshefi ekzekutiv Bashkim Kurti, ka thënë se në minierën e Trepçës ka mungesë të aktiviteteve në eksploatimin e zehës sepse ka mungesë të eksplozivëve, megjithatë ai thotë se gjatë kësa kohë kanë bërë punë përgatitore.
“Mungesa e eksplozivëve si bazë e jona për të zhvilluar aktivitetin tonë na ka paraqitë probleme me të cilat për momentin jemi duke u ballafaqu”, tha Kurti.
Si pasojë e mungesës së eksplozivëve, drejtori i Trepçës thotë se kjo ndërrmarje vetëm në muajin shkurt ka pësuar humbje rreth 700 mijë euro.
“Nëse e marrim për bazë prodhimin e muajit shkurt, ne kemi arritur që të eksploatojmë rreth 700 ton koncetratë të plumbin dhe zinkut, që kur konvertohet në vlerë monetare e kap një shifër rreth 700 mijë euro. Nëse flasim me këto numra atëherë realisht po flasim për rreth 700 mijë euro humbje”, deklaroi Kurti.
Duke folur për arsyet e mungesës së këtyre mjeteve esenciale për Trepçën, Bashkim Kurti tha se kjo situatë ka ardhur si pasojë e problemeve financiare.
Ky material sipas tij pritet të arrijë në Trepçë të mërkurën me 3 prill.
Kryshefi i kësaj ndërrmarjeje tha se Trepça po përballet me një sërë problemesh të cilat sipas tij kanë ardhur si pasojë e borxheve të trashëguara. Borxhi që Trepça ka ndaj furnitorëve dhe të tjerëvë është rreth 20 milionë euro.
“Është muaji im i dytë këtu. Situata në Trepçë në aspektin financiar është alarmante. Kemi shumë obligime të prapambetura, rreth 20 milionë euro obligime ndaj furnitorëve dhe të tjerëve. Telashe tjera që jemi duke u ballafaqu janë edhe akuzat e paditë e punëtorëve ndaj Trepçës, për faktin e pamundësisë së pagesës së kontributeve pensionale dhe tatimit në paga. Nëse nuk gaboj, deri në mars të vitit 2020 janë të paguara dhe pas marsit të 2020-të nuk ka pasë mundësi të paguhen”, deklaroi për RTK-në Kurti.