Trëndafilat e kuq dhe një ekskavator i vetëm, janë krejt çfarë kanë mbetur pas më shumë se gjashtë vjetëve gërmime në Kizhevak të Serbisë. Nuk janë lule për një të vdekur, por vendi është varrezë masive.
Në Kosovë u vranë, u varrosën, pastaj zhvarrosën dhe i dërguan andej kufirit për t’u fshehur krimi. Familjarët tash e 22 vjet po kërkojnë nga Serbia të paktën një kockë të të afërmeve të tyre. Më 16 nëntor të vitit të kaluar këtu u gjetën mbetjet e para kockore njerëzish që më pas u identifikuan se ishin dy viktima të masakrës së Rezallës.
Jo shumë larg qytezës së Rashkës, afër edhe kufirit të Kosovës, javën e kaluar janë përmbyllur gërmimet gjashtëvjeçare në një minierë të hapur në tokën e Serbisë. Në Kizhevak janë konfirmuar mbetjet e nëntë trupave të zhdukur dhe një tjetër që është ribashkim i masakrës së Rezallës.
Kërkimi ishte i gjatë por edhe i vështirë. Në krejt këtë proces ishte i përfshirë antropologu i mjekësisë ligjore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i cili thotë për KosovaPress se qëllimi i tyre gjithmonë ka qenë që të lehtëson zemrat e familjarëve.
“Kjo ka qenë java e fundit dhe ne e kemi pritur se kryhen sepse nuk ka pasur edhe shumë punë që kanë mbetur, por bash sot e kemi diskutuar me doktor Musën, me Dritonin se ne jemi aq shumë të përkushtuar në aspektin profesional sa që harrojmë atë anën humane. Sot në përfundim na ra në mend që duhet nganjëherë të përjetojmë emocionalisht sepse nuk mjafton vetëm profesionalisht me u fokusuar. Edhe pse është një proces i dhimbshëm, megjithatë ne e konsiderojmë se do të jetë një lehtësim për familjet, për të afërmit e tyre që më në fund do t’iu kthehen familjet e tyre”, tregon ai për KosovaPress.
Në nëntor të vitit të kaluar, në këto kampe të improvizuara të hulumtimit u gjetën mbetjet e para kockore njerëzish që më pas u identifikuan se ishin dy viktima të masakrës së Rezallës.
Nga Komisioni për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara thotë për KosovaPress, se ky lokacion ka ndërlidhje me lokacionin e Rudnicës së Rashkës, ku janë zhvarrosur mbi 50 viktima.
“Në bazë të të dhënave që kemi pranuar edhe nga ekspertët mjeko-ligjor të Kosovës, mostrat nga mbetjet mortore që janë zhvarrosur në këtë lokacion gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 2020 dhe tani gjatë majit të vitit 2021, janë dërguar për analizë të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Tani ne presim që përmes analizave të ADN-së të njoftohemi dhe momentin e identifikimit, sigurisht që do të vazhdojmë me procedurat e riatdhesimit të mbetjeve mortore të Kosovës”, thekson ai.
Në përpjekjet për të gjetur trupat e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri më tani brenda territorit janë katër lokacione në të cilat është punuar. Dy prej tyre kanë rezultuar me gjetjen e dy personave, ndërsa për dy të tjera rezultatet ishin negative. Ka edhe një numër të madh që Gara thotë se janë siguruar urdhëresat për fillimin e gërmimeve të nevojshme vlerësuese.
“Në bazë të dy identifikimeve të para të gjetjeve të vitit të kaluar, gjatë muajit nëntor-dhjetor, kemi të identifikuar se kemi dy gjetje dhe një ribashkim. Për këto dy identifikime veçse janë njoftuar familjarët e personave të identifikuar të masakrës së Rezallës”, shton ai.
Kryetari i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar për numrin e trupave që janë gjetur në këtë varrezë masive.
“Vitin e kaluar me 16 nëntor kemi hasur në mbetjet e para kockore. Janë gjetur apo identifikuar dy raste të reja dhe një ribashkim. I cili ndërlidhet me gjysmën e trupit i cili është dorëzuar me vitin 2015 në rastin e Rudnicës. Kjo ka qenë indikatori që mund t’i takojnë regjionit të Rezallës. Ndërsa, në fazën e dytë, e cila ka filluar me 5 maj dhe sot po mbyllet zyrtarisht janë minimum shtatë persona për të cilit duhet t’i presim analizat e ADN-së. Janë nëntë trupa dhe një ribashkim, në total dhjetë persona”, ka shtuar Gërxhaliu.
Ndonëse numri i trupave të gjetur është shumë i vogël, Kosova po kërkon edhe më shumë se 1600 persona të pagjetur. Për më tepër informatat thonë se që në të gjithë Serbinë janë 16 varreza masive, por vetëm 5 prej tyre janë zbuluar.