Policia holandeze ka njoftuar se tre persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë në një sulm me armë në qytetin Dordrecht.
Gazeta “De Telegraaf” raporton se sulmuesi dyshohet të jetë polic dhe se incidenti ishte kishte të bënte me një problem familjar, por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Kjo gazetë gjithashtu raportoi se sulmuesi është në mesin e personave të vdekur, sepse e ka vrarë veten.
Një gazetë tjetër holandeze, “BN DeStem”, ka raportuar se dy viktimat tjera janë fëmijë të moshës 8 dhe 12 vjeçare, më saktësisht vajzat e personit të dyshuar. Besohet se çifti ishin në procesin e ndarjes, por ende jetonin në të njëjtën shtëpi.
Policia ende nuk ka dhënë informacione për incidentin. Përmes një postimi në Twitter, policia e Roterdamit vetëm e konfirmoi numrin e viktimave dhe tregoi se ekipi i forenzikës ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe i ka nisur hetimet.
Kryetari i qytetit Dordrecht, Wouter Kolff, shprehu ngushëllime për personat e prekur nga ky sulm dhe tha se më vonë do të shkojë në skenën e krimit.
Dordrecht-i është qytet që shtrihet rreth 20 kilometra në juglindje të Roterdamit dhe ka një popullsi prej 120 mijë banorësh, shkruan “BBC”,