Tre shtatasë kosovarë janë vrarë jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti. Në të dy raste, viktima dhe dorasi kanë lidhje familjare mes vete dhe kanë ndodhur në Gjermani, derisa rasti i fundit në Zvicër. Express u sjell detaje rreth këtyre rasteve.
Lajmi se një 24-vjeçare është vrarë nga vjehrri i saj në 56-vjeçar në Pratteln të Kantonit Baselland në Zvicër, pushtoi të shtunën ballinat e mediave zvicerane. Sipas raportimeve, viktima dhe dorasi ishin shtetasë kosovarë.
Por, ende mbetet e paqartë pse 56- vjeçari e ka vrarë nusen e djalit. Një përfaqësues i familjes ka thënë për blick.ch se “ai mund të ketë vepruar në vetëmbrojtje. Ndoshta nusja e ka sulmuar, pasi që edhe ai ishte plagosur, në dorë.
Policia e Kantonit Bazel-Landschaft ka deklaruar se viktima është vrarë me thikë. Sipas raportimeve të mediave, sfondi i mosmarrëveshjes mund të ketë qenë divorci i planifikuar në mes të çiftit të ri.
Anëtarët e familjes thonë se bashkëshorti i 24-vjeçares kishte angazhuar fshehurazi një avokat për t’u divorcuar. E në momentin kur nusja kishte marrë vesh për planin e të shoqit, thuhet se kishte shkuar te vjehrri me djalin e saj dhe mund ta ketë fajësuar për problemet e saj martesore.
Mosmarrëveshja pastaj përfundimisht u përshkallëzua. Sipas përfaqësuesit të familjes, gjyshja e kishte marrë djalin dhe kishte ikur nga banesa kur ka filluar. Gruaja e 56 vjeçarit dhe tre djemtë e tij tani kanë frikë nga gjakmarrja, shpjegon përfaqësuesi i familjes”.
Lagjja është në gjendje shoku. Aty personi tashmë i dyshuar për vrasje njihet si një njeri i sjellshëm.
Por, kjo nuk është vrasja e vetme mes kosovarëve që ka ndodhur gjatë këtij viti në shtetet e huaja.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Regensburg të Gjermanisë. Një 57-vjeçar me origjinë nga Kosova është gjetur i vrarë. Sipas mediave gjermane, një 55-vjeçar, po ashtu kosovar, është arrestuar si i dyshuar.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Regensburg të Gjermanisë.
Sipas dëshmitarëve, viktima dhe i dyshuari kishin pasur një mosmarrëveshje.
“Në Regensburg, një burrë u qëllua në rrugë. Dëshmitarët kishin vërejtur një mosmarrëveshje midis dy burrave në mëngjes dhe kishin lajmëruar policinë, thanë zyrtarët. Policia gjeti një të vdekur 57-vjeçar të shtrirë në rrugë. Skena e krimit është afër stacionit kryesor të trenit Regensburg, rruga është bllokuar përkohësisht për një kohë të gjatë”, shkruajnë mediat gjermane.
Po ashtu, bëhet e ditur se është arrestuar një 55-vjeçar i cili kishte qenë i armatosur.
“Policët kanë arrestuar një të dyshuar 55-vjeçar, afër vendit të ngjarjes. Dëshmitarët e kishin përshkruar, ndërkaq policia tha që ai po shëtiste dhe kishte një armë me vete”, thuhet tutje.
Policia atje ka njoftuar se viktima dhe i dyshuari janë shtetas gjermanë, me origjinë kosovare.
“Sipas policisë, si burri i ndjerë ashtu edhe i dyshuari janë shtetas gjermanë me origjinë kosovare. Të dy do ta njihnin njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Motivet janë ende të paqarta. Trupit të viktimës duhet t’i bëhet autopsia. Zyra e prokurorit publik në Regensburg po hetojnë një vrasje”, thuhet në raportimin e mediave gjermane, transmeton GazetaExpress.
Një vrasje tjetër kishte ndodhur në Gjermani në shkurt të këtij viti. Një 32-vjeçar nga Kosova ishte arrestuar nën dyshimet se ka vrarë gruan e tij 33-vjeçare.
Ngjarja kishte ndodhur në qytetin e Minfeld’it. Patrulla e policisë e kishte ndalur makinën që drejtonte kosovari, brenda së cilës gjendej edhe trupi i viktimës.
Siç raportonin mediat gjermane, edhe viktima edhe dorasi ishin nga qyteti i Podujevës.
Çifti së bashku kanë pasur dy fëmijë. Me kërkesën e prokurorit të rastit, dorasi ishte dërguar në mbajtje.