Një ngjarje tepër tragjike ka ndodhur në fshatin Koretin të Kamenicës. Pesë anëtarë të familjes Basha nga ky fshat kanë humbur jetën nga Covid-19, shkruan Telegramisot
Sejdi Kurteshi, kryetar i Këshillit Lokal të fshatin I ka shprehur ngushëllime familjes Basha për humbjen e pesë anëtarëve.
“E nderuara familja Basha, Na lejoni që në emër të këshillit lokal të fshatit dhe të të gjithë qytetarëve të Koretinit të ju shprehim ngushëllimet tona me rastin e humbjes së më të dashurve tuaj. Dhembje të madhe po përjetojmë bashkë juve për humbjen e 5 anëtarëve të familjes suaj, Sahitit, Avdushit, nënës dhe dy motrave”, thuhet në reagimin e Këshillit Lokal.
Vdekja e fundit në këtë familje është e punëtorit të sigurimit të Gjykatës në Kamenicë, Avdush Basha.
Gjykata Themelore në Gjilan, me pikëllim të thellë pranoi lajmin sot se është ndarë nga jeta punëtori i sigurimit të kësaj gjykate, Avdush (Fazli) Basha, në moshën 48 vjeçare. Ai ishte i infektuar me virusin Covid-19.
Kryetari i gjykatës, Ramiz Azizi dhe stafi i gjykatës, shprehin ngushëllime familjes Basha, shokëve, kolegëve, miqve e farefisit.
Basha ka qenë i angazhuar në pozitën e punëtorit të sigurimit të gjykatës nga viti 2001 dhe do të mbahet mend përgjithmonë si një punëtor i përkushtuar dhe koleg i mire.