Një aksident tragjik ka ndodhur sot në fshatin Terstenik të Drenasit, ku si pasojë ka humbur jetën një i ri rreth 25-vjeçar.
Burime të “TelegramiSot” mësojnë se viktima është Aldion Mulaj, i cili kishte ardhur për pushime në Kosovë nga Austria. Ai ishte duke udhëtuar me motoçikletë kur ndodhi përplasja fatale me një veturë.
Lajmin për vdekjen e të ndjerit e ka konfirmuar edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse për media në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 13:30 në fshatin Terstenik të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime”, ka deklaruar Ahmeti.
Të dy personat që ndodheshin në motoçikletë janë prekur nga përplasja, por për fat të keq njëri nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.