Derisa presidenti Biden parashikon një luftë midis demokracive dhe kundërshtarëve të tyre, Pekini është i etur për të fituar anën tjetër.
Presidenti Biden dëshiron të krijojë një “aleancë të demokracive”. Kina dëshiron të bëjë të qartë se i ka aleancat e saj.
Vetëm disa ditë pas një takimi të vështirë me zyrtarë amerikanë në Alaskë, ministri i Jashtëm i Kinës u bashkua me homologun e tij rus javën e kaluar për të denoncuar ndërhyrjen dhe sanksionet perëndimore.
Më pas, të shtunën e kaluar, ai udhëtoi në Lindjen e Mesme për të vizituar aleatët tradicionalë amerikanë, përfshirë Arabinë Saudite dhe Turqinë, si dhe Iranin, ku nënshkroi një marrëveshje gjithëpërfshirëse investimesh. Më vonë, udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, udhëtoi në Kolumbi dhe premtoi mbështetje për Korenë e Veriut një ditë tjetër.
Edhe pse zyrtarët mohuan që e tëra kjo qe e qëllimshme, mesazhi ishte i qartë. Kina shpreson të pozicionohet si sfiduesi kryesor i një rendi ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përgjithësisht udhëhiqet nga parimet e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të shtetit ligjor.
Një sistem i tillë “nuk përfaqëson vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare”, i tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, atij të Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë takimit të tyre në qytetin jugor të Kinës, Guilin.
Në një deklaratë të përbashkët, ata akuzuan SHBA-në për ngacmim dhe ndërhyrje dhe e ftuan atë të “reflektonte mbi dëmin që i ka bërë paqes globale dhe zhvillimit në vitet e fundit”.
Kërcënimi i një koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që sfidon politikat autoritare të Kinës, vetëm sa ka forcuar ambicien e Pekinit për të qenë një udhëheqës global i kombeve që kundërshtojnë Uashingtonin dhe aleatët e tij.
Kjo na flet për një Kinë gjithnjë e më të sigurt dhe të pa falimentuar, një Kinë, e cila jo vetëm se hedh poshtë kritikat amerikane për punët e saj të brendshme, porse prezanton edhe vlerat e saj si model për të tjerët.
“Ata në të vërtetë po përpiqen të ndërtojnë një argument, si: “Ne jemi fuqia më e përgjegjshme. Ne nuk jemi prishës ose një bosht i së keqes”, tha John Delury-profesor i studimeve kineze në Universitetin Yonsei, në Seul, lidhur me strategjinë e Kinës.
Si rezultat i kësaj, bota po ndahet gjithnjë e më shumë në kampe të dallueshme: nëse jo në kampe të qarta ideologjike, po ndahet në Kinë dhe në SHBA që shpresojnë të joshin mbështetësit.
Z. Biden e bëri të qartë këtë në konferencën e tij të parë presidenciale të enjten e kaluar, duke paraqitur një politikë të Jashtme të bazuar në konkurrencën gjeopolitike midis modeleve të qeverisjes.
Ai e krahasoi z. Xi me presidentin rus, Vladimir Putin, “i cili mendon se autokracia është vala e së ardhmes dhe demokracia nuk mund të funksionojë” në “një botë gjithnjë e më komplekse”.
Ai më vonë e quajti sfidën si “një betejë midis të mirës së demokracive në shekullin 21 dhe autokracive”. Kina, nga ana e saj, argumenton se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndan botën në blloqe. Z. Xi tha kështu menjëherë pas inaugurimit të z. Biden në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti, që u mbajt në Davos, Zvicër, duke shtuar se multilateralizmi duhet të bazohet në konsensus midis shumë vendeve, jo në një pikëpamje të përparuar nga “një ose nga disa”.
“Për të ndërtuar qarqe të vogla ose për të filluar një Luftë të re të Ftohtë, për të refuzuar, kërcënuar ose frikësuar të tjerët, për të vendosur me dashje shkëputjen, duke nxitur përçarje ose duke vendosur sanksione, si dhe për të krijuar izolim ose largim, vetëm sa do ta shtyjë botën në ndarje dhe madje edhe në konfrontim”, tha z. Xi.
Duke kundërshtuar kritikat për politikat e saj së fundi, Kina ka përkrahur përparësinë e organizatave ndërkombëtare, siç është Kombet e Bashkuara, ku fuqia e Pekinit është rritur.
Z. Wang vuri në dukje se më shumë se 80 vende në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara kishin shprehur mbështetje për veprimet e Kinës në Xinjiang-rajoni i largët perëndimor, ku autoritetet kanë arrestuar dhe internuar myslimanët ujgurë, të cilin veprim SHBA-ja e shpalli gjenocid.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës pretendoi se z. Wang kishte mbështetjen e politikave të Xinjiang, si dhe anulimin e disidencës në Hong Kong të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, edhe pse një deklaratë saudite nuk e përmend Xinjiangun.
Rreshtimi më i zëshëm i Kinës është me Rusinë, ku Putini është ankuar prej kohësh për hegjemoninë amerikane dhe përdorimin e saj-abuzimin, sipas tij, të sistemit financiar global si një instrument i politikës së Jashtme.
Ministri i Jashtëm rus në vizitën e tij në Kinë para pak kohësh kritikoi sanksionet amerikane, duke thënë se bota kishte nevojë të zvogëlojë varësinë e saj në dollarin amerikan.
Kina dhe Rusia janë afruar veçanërisht pasi aneksimi i Krimesë nga Putini në vitin 2014 u prit me zemërim dhe me sanksione nga bashkësia ndërkombëtare. Derisa mundësia e një aleance zyrtare mbetet larg për t’u arritur, lidhjet diplomatike dhe ekonomike të këtyre vendeve janë thelluar në kauzën e përbashkët kundër Shteteve të Bashkuara. Rrjedhimisht, edhe lidhjet strategjike.
Ushtria Çlirimtare Popullore dhe ushtria ruse tashmë rregullisht mbajnë stërvitje së bashku, dhe në dhjetor të vitit të kaluar kanë kryer dy herë patrulla të përbashkëta ajrore përgjatë bregdetit të Japonisë.
Të dy vendet njoftuan këtë muaj se do të ndërtojnë së bashku një stacion kërkimor në hënë, duke përgatitur kështu skenarin për programet hapësinore konkurruese, njëri i udhëhequr nga Kina dhe tjetri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Hapat dhe veprimet e fundit nga Administrata e Bidenit, të konsideruara si armiqësore dhe fyese nga udhëheqësit rusë dhe ata kinezë, kanë detyruar Moskën dhe Pekinin që të kenë raporte akoma më të thella të ndërsjella”, tha Artyom Lukin-profesor i studimeve ndërkombëtare pranë Universitetit Federal të Lindjes së Largët, në Vladivostok, Rusi.
Zyrtarët kinezë, njëjtë si ata rusë, kanë thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka qëndrim për të kritikuar kombet e tjera. Ata përmendin si provë ndërhyrjet e ushtrisë amerikane në Irak, në Afganistan dhe në Libi dhe e akuzojnë atë për nxitje të protestave publike kundër qeverive që e kundërshtojnë atë. Në përballjen e tij të jashtëzakonshme me zyrtarët amerikanë në Alaskë, diplomati i lartë i Kinës, Yang Jiechi, përmendi racizmin dhe brutalitetin e policisë amerikane, së bashku me keq menaxhimin e pandemisë së COVID-19, si dëshmi e dështimit të vendit.
Këshilli i Shtetit i Kinës, së fundi lëshoi një raport mbi të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përdorur si epigraf lutjen e George Floyd bërë policisë amerikane: “nuk mund të marr frymë”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ulë tonin mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe të flasë më shumë për bashkëpunimin në çështjet globale,” shkroi në të njëjtën ditë, Yuan Peng-president i Instituteve Kineze të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore-një think-tank qeveritar.
Nga ky këndvështrim, përafrimi i z. Xi me Korenë e Veriut dhe vizita e Wang-ut në Iran, do të mund të ishin shenjë e interesit të Kinës për të punuar me Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi programet bërthamore të këtyre dy vendeve.
Administrata e z. Biden mund të jetë e hapur për këtë. Pas takimeve të Alaskës, Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken përmendi të dyja si fusha të mundshme ku “interesat tona kryqëzohen” me ato të Kinës.
Në zona të tjera, një humnerë tjetër po zgjerohet.
Që nga zgjedhja e z. Biden si president, Kina është përpjekur të parandalojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të krijojë një front të bashkuar kundër saj. Ajo i bëri thirrje administratës së re të rifillojë bashkëpunimin pas përballjeve që i kishin gjatë administratës së Trumpit. Ajo nënshkroi marrëveshje të tregtisë dhe investimeve, përfshirë një me Bashkimin Evropian, duke shpresuar të nxirrte jashtë loje z. Biden.
Kjo nuk funksionoi. Rezultatet e para të strategjisë së presidentit Biden dolën javën e kaluar, kur SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian vendosën bashkërisht sanksione ndaj zyrtarëve kinezë mbi Xinjiang. Dënimi i Kinës ishte i shpejtë.
“Epoka kur qe e mundur të krijosh storie dhe të trillosh gënjeshtra për t’u përzier pa dashje në punët e brendshme kineze, tashmë ka kaluar dhe nuk kthehet më”, tha z. Wang.
Edhe Kina u hakmor me sanksione kundër zyrtarëve të zgjedhur dhe studiuesve në Bashkimin Evropian dhe në Britani. Dënime të ngjashme pasuan të shtunën e kaluar për kanadezët dhe amerikanët, duke përfshirë zyrtarë të lartë në Komisionin e SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare-një organ qeveritar që mbajti një seancë dëgjimore këtë muaj mbi punën e detyruar në Xinjiang. Të gjithë ata, ndaj të cilëve u vunë këto sanksione e kanë të ndaluar të udhëtojnë në Kinë ose të bëjnë biznes me kompani ose individë kinezë.
Theresa Fallon, drejtoreshë e Qendrës për Studimet mbi Azinë-Rusinë-Evropën në Bruksel, tha se sanksionet e Kinës ndaj evropianëve ishin një reagim i tepërt që do t’i shtyjë zyrtarët në një pozicion anti-Kinë.
Këta zyrtarë, gjithashtu mund të rrezikojnë marrëveshjen e investimeve të Kinës me Bashkimin Evropian, pasi shumë prej të sanksionuarve janë anëtarë të Parlamentit Evropian, aprovimi i të cilëve kërkohet për marrëveshje të tillë. Kështu mund të nisin fushata të reja edhe nga konsumatorët kinezë kundër markave kryesore perëndimore, si “H&M” dhe “Nike”.
Deri më tani, shumë vende të Bashkimit Evropian nuk kanë dashur të zgjedhin qartë anët, duke shmangur llojin e ndarjeve dypolare ideologjike, si ato gjatë Luftës së Ftohtë, pjesërisht për shkak të thellimit të lidhjeve ekonomike me Kinën.
Sidoqoftë, me çdo kthesë të re në marrëdhënie, po shfaqen kampe më të qarta. “Pasqyra kineze gjatë tërë kohës”, tha zonja Fallon. “Gjithmonë i akuzojnë njerëzit të mendojnë për Luftën e Ftohtë, sepse kjo është me të vërtetë, thellë, si mendojnë ata.”