Gjatë ditës së djeshme prestigjiozja The Guardian ka publikuar një video shqetësuese të disa migrantëve të zhveshur përgjatë kufirit Serbi-Maqedoni e Veriut.
Sipas Guardianit, migrantët i kishte detyruar të zhvishen policia serbe e më pas i kishte përzënë nga Serbia për në RMV.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë ka reaguar duke i mohuar kategorikisht pamjet që u publikuan dje.
Sipas MUP-it, patrullat e tyre nuk kanë qenë të pranishme përgjatë kufirit, afër fshatit Lojana, në Maqedoninë e Veriut, kur emigrantët, sipas pretendimeve të tyre, janë keqtrajtuar nga policia serbe.
“Lidhur me ngjarjet e kontestuara, nuk konfirmohet se ato kanë ndodhur në territorin e Serbisë”, shtoi MPB-ja e Serbisë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se ka reaguar “për incizimet që janë publikuar në disa media në lidhje me trajtimin e migrantëve të parregullt” në atë zonë.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka thënë se Administrata e Policisë Kufitare ka pranuar kërkesë nga kolegët maqedonas për një deklaratë në lidhje me dy ngjarje në fshatin Llojan në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Ai përcolli se kërkesa i referohet faktit se “në atë fshat janë gjetur dy grupe të migrantëve të parregullt, të cilët kanë pohuar se policët serbë kinse i kanë rrahur, se u kanë lëshuar qen zyrtarë, të cilët i kafshojnë”.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se, sipas kërkesës, emigrantët pohuan gjithashtu se policët serbë i zhveshën në të brendshme dhe i detyruan të kthehen në Maqedoninë e Veriut në këmbë.
Në komunikatë thuhet se policia serbe, menjëherë pas pranimit të kërkesës, ka kryer kontrolle në Qendrën Rajonale të Policisë Kufitare drejt Maqedonisë së Veriut.
“Ajo ka konstatuar se në atë kohë nuk ka pasur patrulla policore tona në zonën në fjalë”, kanë thënë MPB-ja e Serbisë.
Ai theksoi se Administrata e Policisë Kufitare nuk i përdor qentë zyrtarë në kryerjen e vëzhgimit të kufirit shtetëror dhe as nuk i posedon në kuadër të njësisë organizative.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë këto ngjarje i quan të supozuara.
“Që nga fillimi i krizës së emigrantëve, Serbia ka punuar për të shtypur migracionin e parregullt, me respekt absolut për të drejtat e njeriut, të cilat njihen nga komuniteti ndërkombëtar”, shtoi ai.