Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë që sot për herë të dytë i ka drejtuar letër kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i mundësohet raportimi para deputetëve lidhur me takimin e zhvilluar me presidentin e Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Thaçi ka thënë se ende nuk ka përgjigje zyrtare nga Kuvendi, duke shtuar se institucioni ligjvënës nuk është pronë e askujt, dhe se ai ka të drejtë kushtetuese të raportojë në Kuvend. Presidenti ka deklaruar se nëse i pamundësohet raportimi në Kuvend, do të ftojë në takim të gjithë kryetarët e partive politike në vend.
Thaçi u ka thënë gazetarëve, se dje ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës që t’i mundësohet raportimi para deputetëve, lidhur me vizitat që i ka zhvilluar në Ëashington, me theks të veçantë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, që u mbajt dy ditë më parë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Ai ka thënë se sot përsëri i ka drejtuar letër Vjosa Osmanit, por që ende nuk ka marrë përgjigje.
Presidenti i vendit është shprehur se Kuvendi nuk është pronë e askujt dhe askush nuk mund të uzurpojë atë proceduralisht.
“Ne të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është i pazëvendësueshëm. Nëse me pamundësohet sot raportimi në Kuvendin e Kosovës, natyrisht unë do të bëj kërkesën tjetër sepse Kuvendi është i Kosovës, i popullit të Kosovës. Askush nuk është pronar i Kuvendit të Kosovës dhe askush nuk mund të uzurpojë as proceduralisht dhe nuk mund të mohojë të drejtën e presidentit të vendit. Sepse unë kam kërkuar edhe në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti që të informoj Kuvendin për punët e mija si president i vendit që e kam obligim kushtetues, më është pamundësuar. Atëherë unë do të takohem dhe do t’i ftoj për takim të gjithë liderët e partive politike duke përfshirë edhe liderin e Vetëvendosjes, edhe të LDK-së, edhe të PDK-së edhe AAK-se, edhe të Nismës, edhe zotin Pacolli edhe gjithë të tjerët”, tha Thaçi.
Ndërsa i pyetur për ftesën që kryeministri Albin Kurti i ka bërë për takim, për siç ka thënë ai dakordim për politikën e jashtme, Thaçi nuk ka folur për këtë çështje, veçse ka përsëritur që do të takohet me të gjithë liderët e spektrit politik në Kosovë.
E një konferencë për media, përmes së cilës do të tregonte rreth takimit në Shtëpinë e Bardhë, duket të jetë opsioni tjetër i presidentit Hashim Thaçi, nëse Kuvendi i Kosovës nuk i mundëson atij të raportojë para deputetëve.
“Unë dua t’i informoj deputetët sepse kam legjitimitetin qytetar kjo është e drejtë e imja kushtetuese, ndërsa nëse me pamundësohet diçka e tillë për të raportuar në Kuvendin e Kosovës atëherë mundësia e imja e vetme si president i Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës është që t’i drejtohem qytetarëve të vendit përmes konferencës për shtyp, përmes ju, qe të përcjellët ajo çka ka ndodhur në Washington”, tha Thaçi.
Thaçi shtoi se takimi në Washington ka vlerë të rëndësishme dhe historike për shtetin e Kosovës.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, i ka kthyer përgjigje presid entit Thaçi rreth kërkesës për seancë ku do t’i adresohej deputetëve përkitazi me takimet e zhvilluara në Washngton.
Osmani i ka bërë të ditur Presidentit se kërkesa e tij do të shqyrtohet vetëm pas 9 marsit, me arsyetimin se deri në atë kohë Kuvendi është i angazhuar.