I Dërguari i Posaçëm i presidentit të Amerikës, Donald Trump, ambasadori Richard Grenell po qëndron sonte në Prishtinë.
Grenell është pritur në një darkë pune nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Që në fillim të takimit, Grenell dhe Thaçi u deklaruan para mediave.
Madje Thaçi falënderoi Grenell për vizitën e tij në Kosovë, që sipas tij ka domethënie të madhe për të gjithë qytetarët.
Thaçi ndër të tjerash deklaroi se ajo çfarë nuk u arrit të bëhej nga të tjerët, arriti ta bënte ambasadori Grenell nën lidershipin e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me marrëveshjen për linjën ajrore Kosovë-Serbi.
Madje presidenti i vendit tha se paqja finale me Serbinë do të arrihet nën lidershipin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
“Nën lidershipin e Trump-it do të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë dhe kjo do t’i ndihmojë shumë rritjes ekonomike, progresit, paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.
“Gjithashtu falënderoj ambasadorin për marrëveshjen e re që kemi arritur për linjën ajrore me Serbinë. Ambasadori Grenell nën udhëheqjen e
Trump e bënë atë që nuk arritën ta bëjnë të tjerët. Roli i SHBA-së në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm”, shtoi presidenti Thaçi.
Ndërsa Grenell pritet që nesër të takojë edhe krerët e partive politike në vend, e për në Serbi do të udhëtojë të premten në mëngjes, për të zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.