Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga shqiptarët e Malit të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet e të dielës për ta mbështetur Listën Shqiptare në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik.
“Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se “komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe ka luajtur rol konstruktiv e kontributdhënës në rrugën e integrimit euroatlantik të tij”.
Postimi i plotë i Hashim Thaçit në Facebook:
Këtë të diel, shqiptarët në Mal të Zi gjenden përballë mundësisë së zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore të shtetit mik të Kosovës. Komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe ka luajtur rol konstruktiv e kontributdhënës në rrugën e integrimit euroatlantik të tij.
Prandaj, duke njohur punën e tyre të vyer në të mirë të interesave kombëtare, edhe sot u bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhje për ta mbështetur Listën Shqiptare, në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik dhe ta sigurojnë ecjen përpara të Malit të Zi drejt së ardhmes euroatlantike, si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane.