Krijimin e shumicës në Kuvend e konsideronin si punë të zgjidhur në LVV pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Pasi para disa ditësh e pranuan pamundësinë e krijimit të Qeverisë pa gjetjen e një partneri nga ana e opozitarëve, e kërkuan atë, më së shumti te Nisma e Fatmir Limajt, me të cilin Albin Kurtit iu desh të negocionte edhe natën por edhe paraditen e sotme.
Seanca konstituive e Kuvendit që nisi sot, nuk vazhdoi shumë gjatë, për shkak të mosvotimit të një raporti për verifikimin e mandateve. Mori vetëm 52 vota.
Dita e djeshme dhe paraditja e sotme ishin tepër intensive për Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje që u përpoq maksimalisht, duke e shtyrë me sa duket edhe gjumin, që ta sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për të qëndruar edhe më tej në pushtet.
Pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit sot, ai u fut i buzëqeshur në sallën kryesore.
I fundit, aty hyri edhe Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, që gjithashtu i buzëqeshur kaloi përskaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ish-partnerit të tij, me të cilin kishin një koalicion parazgjedhor.
Me Limajn, Kurtit iu desh të negocionte edhe natën dhe paraditen e sotme.
Atij iu desh t’u bënte oferta edhe deputetëve të pakicave, në mënyrë që ata të votonin për të, pavarësisht se në përpjekjet e para të para dy javëve ishte dekurajuar disi, dhe disa prej tyre i kishte akuzuar se po ndikoheshin nga Serbia që të mos votonin për Qeverinë e tij. Bashkëpunëtorja e Kurtit Mimoza Kusari -Lila javën e kaluar tha se i kanë 59 vota. Dje Elbert Krasniqi linte të kuptohej se pa ato të NISMA Kurti i ka 48 votat e tij dhe 7 të pakicave, që i bie 55. Sidoqoftë këta numra nuk dolën në seancë ku pro votoi edhe NISMA që i ka tre vota.
Seanca e sotme vazhdoi vetëm deri te procesi i votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. 52 deputetë votuan për këtë raport, 46 kundër dhe 11 abstenuan.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se ndryshe do ta shkelnin ligjin. Thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.
Deputetët e Nismës u panë duke votuar për, por si nuk arriti Kurti t’i ketë 61 votat e nevojshme në këtë rast?
Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur ende askush nga LVV-ja.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti lëshoi disa akuza të papërmbajtshme ndaj PDK-së, LDK-së e AAK-së në një postim në Facebook. Partitë që ia kërkuan dorëheqjen paraprakisht, ai tha se “u rebeluan kundër betimit të deputetëve” e tha se ky ishte “sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”.
Albulena Haxhiu dhe Artan Abrashi nga ky grup parlamentar, i akuzuan PDK-në, LDK-në dhe AAK-në në një konferencë për media se “po tentojnë që të vonojnë konstitumin e Kuvendit të Kosovës” dhe se po shkaktojnë “krizë të panevojshme”.
LVV-ja pretendoi se në komisionin e përkohshëm u paraqit një letër e dorëheqjes së Kurtit nga posti i kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë dorëheqje të njëmendte.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se seanca nuk do të mund të procedonte tutje për shkak se dorëheqjet kabinetit qeveritar do të duhej të bëheshin me kohë.
Ai i bëri thirrje Kurtit, që, siç tha, “të japë dorëheqje” dhe të kthehet në Kuvend për konstitiuimin. Por sipas tij, LVV-ja po duket se është “larg” krijimit të Qeverisë së re.
“Ne jemi këtu për ta konstituuar Kuvendin. Ne kemi ardhë duke besuar se sot votohet edhe kryetari, edhe nënkryetarët – përveçqë jepet betimi – dhe që fillojmë të hyjmë në procesin kushtetues të krijimin të Qeverisë. Por po duket që këta me 52 vota janë larg prej një situate të tillë”, tha Krasniqi në një konferencë për media. Tha se është i bindur se Kurti “nuk mund ta bëjë Qeverinë”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha në një konferencë për media se Kurti dhe anëtarët e tjerë thanë se kanë dhënë dorëheqje, por sipas tij, po vazhdojnë punën në Qeveri.
Për të, këto veprime të LVV-së janë “pjesë e një loje politike për ta zvarritur krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë”.
“Duan të blejnë kohë; sepse nuk kanë votë. Me 52 vota tani, ato që edhe i pamë. Pështyesit e moçalit të pështymave, nuk kanë shumicë. I duhet koha për pazare shtesë – të rënda, joparimore, të kushtueshme për këtë Republikë”, shkroi më pas Abdixhiku në një postim në Facebook.
Kryesuesi i seancës së sotme konstituive të Kuvendit, Avni Dehari nga LVV-ja e ndërpreu atë duke thënë se do t’i drejtoheshin me një letër presidentes Vjosa Osmani për procedurat e mëtejshme. Nga Presidenca, thanë se ende s’kanë pranuar ndonjë letër.
Sido që të jetë, Eugen Cakolli nga KDI tha se presidentja s’ka punë më me seancën konstituive por atë duhet ta caktojë kryesuesi më së largu deri të enjten paradite, pa kaluar 48 orë.
Kryetari i LVV-së pas këtyre zhvillimeve i akuzoi PDK-në, LDK-në e AAK-në për “sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës”, për shkak se ato votuan kundër këtij raporti. Sipas këtyre partive, kjo ishte “lojë politike” pasi partia që doli e para në zgjedhje nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë së re.