01 gusht 2025 – Prishtinë
Në kuadër të angazhimeve për ofrim të shërbimeve sa më cilësore dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët, Ndërmarrja Publike “Termokos” do të prezantojë të hënën Studimin e fizibilitetit të mbulueshmërisë së Prishtinës me ngrohje.
Prezantimi do të mbahet më 04 gusht 2025, duke filluar nga ora 20:00, në ambientet e Shkollës “Model” në Prishtinë, dhe do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar.
Ky studim përfshin analizën e mundësive për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në disa nga lagjet më të populluara dhe me potencial të lartë zhvillimi, si:
“Arbëria”, “Kodra e Trimave”, “Tasligje”, “Hajvalia”, “Qëndresa”, “Qershia”, “Prishtina e Vjetër” dhe “Prishtina e Re”, si dhe zona të tjera të Prishtinës.
Rezultatet e studimit, të cilat do të bëhen publike gjatë këtij prezantimi, bazohen në të dhëna të detajuara mbi kërkesën për ngrohje, nevojat aktuale të qytetarëve dhe kapacitetet e furnizimit.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore, me synimin për t’iu mundësuar mijëra familjeve dhe bizneseve të kenë qasje në një shërbim modern, ekologjik dhe ekonomik.