Pas përfundimit të suksesshëm të sezonit të ngrohjes, Termokos ka nisur menjëherë fazën e re të planifikimit për zgjerimin e rrjetit termik në kryeqytet.
Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos, Fisnik Osmani, ka zhvilluar një takim të koordinuar me drejtorët e Planifikimit, Pronës, Urbanizmit dhe Transformimit të Kryeqytetit, ku u diskutua në detaje plani aksional për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në pjesë të reja të qytetit.
“Pas përfundimit të suksesshëm të sezonit, tani është koha për fillim të implementimit të planit për zgjerim. Po punojmë për zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për çdo lagje të Prishtinës,” u shpreh Osmani.
Qëllimi i planit:
Të përfshijë lagje të reja në sistemin e ngrohjes qendrore
Të garantojë qasje të barabartë në energji termike për të gjithë qytetarët
Të kontribuojë në vizionin për një Prishtinë të Gjelbër, me më pak ndotje dhe efikasitet më të lartë energjetik
Ky plan pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës në Prishtinë, duke e shndërruar Termokosin në një ndër aktorët kryesorë të tranzicionit të gjelbër në kryeqytet.
“Termokos po i jep kuptim Prishtinës së Gjelbër,” përfundoi Osmani.