Kompania publike Termokos po bën një hap gjigand drejt transformimit të energjisë së pastër në kryeqytet.
Në bashkëpunim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Termokos ka nisur zbatimin e projektit madhor “Solar4Kosovo – Solar DH II”, që do të sjellë ngrohje të qëndrueshme për 6 lagje të reja, duke përfshirë 199 objekte banesore dhe rreth 38 mijë qytetarë përfitues.
Kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani, ka theksuar se ky projekt ishte një zotim i dhënë ndaj qytetarëve dhe po realizohet me përkushtim të plotë.
“Po përmbushim të gjitha zotimet tona për transformimin e sistemit të energjisë termike në Prishtinë. Ky është vetëm fillimi i tranzicionit të gjelbër që e kemi premtuar,” – ka deklaruar Osmani.
Sipas master planit, rrjeti i ngrohjes do të shtrihet në lagjet:
Lakrishte
Tophane
Kalabria (dy zona të saj)
Qyteti i Vjetër i Prishtinës
Mahalla e Muhaxherëve
Përmes këtij investimi, do të instalohet një sistem diellor termal për ngrohjen e ujit, duke zvogëluar varësinë nga burimet fosile. Projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e emetimeve të CO2, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe integrimin e energjisë së rinovueshme në rrjetin e ngrohjes qendrore të Prishtinës.
“Termokos po i jep kuptim Prishtinës së Gjelbër,” – ka përfunduar Osmani.
Ky projekt pritet të shndërrojë Prishtinën në një model të suksesit për qytetet tjera të rajonit në fushën e tranzicionit energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.