Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut, Ibrahim Lushtakut e Xhelal Zeqirit për sulmin që i është bërë para gjashtë muajve avokatit, Gazmend Halilaj.
Prokuroria ka ngarkuar dy të dyshuarit Ibrahim Lushtakun (kushëri i Sami Lushtakut) e Xhelal Zeqirin për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa Sami Lushtakun për veprën penale “kanosje”.
Aktakuza është ngritur sot më 21.10.2020.
Rasti ka të bëjë me sulmin e armatosur kundër avokatit Gazmend Halilaj, i cili ka ndodhur më 14 prill të këtij viti para shtëpisë së tij në Drenas.
Atentati për të cilin po akuzohet Sami Lushtaku dyshohet të jetë ekzekutuar nga Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku, një familjar i afërm i ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt. Të dy këta ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 22 prill.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat ishin publikuar më 9 korrik, atentatorët e kishin goditur veturën e parkuar në rrugë të avokatit Halilaj – derisa ai ndodhej brenda saj – me veturën e tyre në lëvizje, para se të qëllonin me armë zjarri në drejtim të tij.
Halilaj kishte pësuar lëndime në dorë, ndërkaq të dyshuarit ishin larguar me shpejtësi nga vend-ngjarja. Aty, Policia e Kosovës kishte gjetur gëzhojat e armës me të cilën ishte shtënë në drejtim të avokatit nga Drenasi
Për sulmin ndaj tij, Halilaj e kishte drejtuar gishtin kah Lushtaku. Në një intervistë për Klan Kosova, juristi deklaronte se “sulmin e kryen maskat e Samiut”. Ish-liderin e Komunës së Skenderajt e quante “kriminel gjakftohtë”.
“Rastin e kam raportuar publikisht. Janë maskat e Samiut. Është e sigurt. Ata janë njerëz të Sami Lushtakut!”, deklaronte Halilaj në mbrëmjen e sulmit të armatosur ndaj tij.
Atentatit ndaj Halilajt i kishte paraprirë një deklaratë e avokatit për 1.4 milionë franga fondesh të luftës, të cilat sipas tij, i kishte keqpërdorur Sami Lushtaku dhe një telefonatë e tensionuar ndërmjet tyre.