Mëngjesi i të martës nuk ka qenë i qetë tek konviktet në Prishtinë. Raportohet se shumë persona të karantinuar kanë mbajtur një protestë brenda konviktit numër 7, në të cilin ndërroi jetë dy ditë më parë Agon Musliu.
Dhjetëra persona të karantinuar kanë patur përplasje verbale me stafin mjekësor. Qytetarët që po kalojnë karantinën në këtë konvikt, thonë se po ka dallavere dhe se disa persona janë liruar, e po lirohen edhe tani me “njoftësi”.
Indeksonline ka siguruar edhe një video nga konvikti ku të karantinuarit nuk kanë lejuar mjekët të bëjnë punën e tyre pa i siguruar ata që do të ketë barazi për të gjithë.
“Ose kanë me iu nënshtru krejt testeve, ose asnjë. Po dalin njerëzit më intervenca. Të gjithë duhet të jemi të barabartë. Ne po kërkojmë që testi të iu bëhet secilit që janë të karantinuar dhe mos të ketë selektime” ka thënë një qytetar i karantinuar për Indeksonline në kushte anonimiteti.
“Ka tre ditë që kanë kërkuar disa të karantinuar psikiatër dhe ende askush s’ka ardhë” ka thënë një qytetar tjetër i karantinuar në konviktin numër 7.
Pasi situata është tensionuar, në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe Policia.
Në këto momente raportohet se gjendja është stabilizuar, por që të karantinuarit kanë paralajmëruar protestë në rast së vazhdojnë të shohin seleksionime e pabarazi.