Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka lëshuar debatin para kohe pas një diskutimi të nxehtë me panelistët rreth një tenderi 5 milionësh që është raportuar se e ka fituar kompania ku vetë Kuçi është pronar.
Në debat e sipër në rtv Dukagjini me analistin Imer Mushkolaj e gazetarin Vehbi Kajtazi, Kuçi ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë pozitën e tij prej ministri nëse Agjencia Kundër Korrupsionit gjen konflikt interesi.
“Duhet të më ftoni një herë tjetër për të biseduar për tema tjera. Sonte kam ardhur të flasë vetëm për çështjen e tenderit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Kuçi ka thënë se do ta shqyrtojë pozitën e tij në Qeverinë Hoti nëse vërtetohet gjendja e tij në konflikt interesi, për tenderin që kompania e tij e fitoi nga institucionet e shtetit.
Kuçi ka pohuar se mund të japë dorëheqje nga pozita ministrore në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion vërteton se ai gjendet në konflikt interesi.
“Në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion e vërteton se ekziston konflikti i interesit, unë e shqyrtoj pozitën time si ministër”, ka deklaruar
ministri Kuçi.