Zyrtarët afganë kanë thënë se talibanët i kanë vrarë së paku 11 ushtarë të forcave qeveritare në sulme të ndryshme ndaj pikave të kontrollit.
Së paku tetë ushtarë u vranë në një pikë kontrolli të provincës lindore, Paktia, bëri të ditur anëtari i Këshillit Provincial, Mohammad Rahman Qaderi.
Ndërkohë komandanti policor i kësaj province, Sultan Dawood Sultan, tha se gjatë luftimeve janë vrarë edhe së paku nëntë militantë talibanë.
Abdul Rahman Zurmati, guvernator i distriktit Samkani, tha se talibanët i kanë rrëmbyer 12 civilë, të cilët i akuzonin për bashkëpunim me qeverinë.
Të enjten, militantët e aktivizuan një bombë në kamion në Paktia, duke lënë të vdekur së paku pesë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë në provincën qendrore të Ghor-it, militantët talibanë e sulmuan një pikë kontrolli në kryeqytetin provincial, Firozkoh, duke vrarë tre ushtarë afganë dhe duke i marrë peng 11 të tjerë.