Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka quajtur deklaratë të padinjitetshme të kryeministrit Albin Kurti, se ka kuptuar më shumë rreth dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel sesa në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, u shpreh para mediave se Kurti, “i ka të gjitha raportet në kryeministri vetëm i duhet me i kërku”.
“Kurti e ka dokumentin e hartuar në kryeministri veç duhet me e lypë, e ka raportin e të gjitha marrëveshjeve të deritanishme, është e padinjitetshme që këto deklarata të bëhen prej Brukselit. Le ta lypë te zyra e Sekretarit i ka të gjitha”, tha Tahiri.
Ai tha se në temat nacionale si dialogu duhet të ketë qasje serioze.
“AAK-ja e konsideron shumë të rëndësishëm konsultimin me partitë opozitare dhe informimin në Kuvend. Askush nuk ka ekskluzivitet në këtë temë as Kurti dhe askush tjetër për të pasur sukses në këtë temë duhet të ketë qasje serioze dhe jo selektive”, tha Tahiri.
Kurti gjatë ditës së djeshme kishte deklaruar se ka pasur pak informacion rreth dialogut prej qeverisjes së kaluar.