Me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shefi i Grupit Parlamentar Besnik Tahiri përmes një statusi ka thënë se për 20 vjet qeverisje, AAK-ja ishte vetëm 2 vjet pjesë e ekzekutivit por që ka bërë punë të mëdha, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë postim, Tahiri nuk ka lënë pa kritikuar edhe partitë tjera.
Por, Tahiri s’ka lënë pa e përmendur edhe historinë e kreut të partisë Ramush Haradinaj. Madje, për të ka shkruar edhe sesi gjithmonë ka bashkëpunuar me partitë tjera politike kur në pyetje ka qenë shteti.
Postimi i plotë i Tahirit:
21 vjet, drejt n’shërbim të vendit! Para 21 viteve u vendos themeli i shumë proceseve dhe zhvillimeve politike, për 21 vite me radhë dhamë shembullin e tolerancës dhe bashkëpunimit politik.
Sot, 21 vjet më parë u themelua Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Para 21 vitesh, Gjenerali themeloi AAK-në, vendosi themelin dhe urat për shumë proceseve dhe zhvillimeve politike, që do të pasonin. Në vitin 2000, ishte koha kur të tjerët po i frynin ndarjeve, përplasjeve e polarizimeve politike, në ‘theqafje’ deri në pambarim. Në atë kohë, Gjenerali Haradinaj themeloi Aleancën, me vizionin e qëndrueshmërisë politike, bashkimit, tolerancës, dhe mbi të gjitha, shtetformimit.
Edhe kësaj radhe, Haradinaj, vendosi kauzën mbi inatet dhe ideologjitë. Në fillet e saj, në konsolidim e sipër, Aleanca nuk kishte pasur kohën të investonte, për të fituar garën politike. AAK pranoi verdiktin e sovranit, kryetarët e saj të komunave, deri atëherë të emëruar, në mënyrën më ceremoniale dorëzuan detyrën, me kulturë e respekt. Kjo ndodhi edhe në Deçan. AAK dha shembullin e tolerancës dhe bashkëpunimit politik, deri atëherë jo fort në trend. Në vitin 2001, pas një bllokade të gjatë të themelimit të institucioneve, ishte vetë Ramush Haradinaj, ai që ofroi fuqinë politike të AAK-së, për të themeluar qeverinë e parë, pa asnjë kushtëzim. Pas konsolidimit, AAK, në vitin 2004, nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt si Kryeministër, arriti tri synime të mëdha për vendin: 1. Me liderishipin, drejtoi vendin me standardet para statusit, drejt shpalljes së Pavarësisë. Atëherë themeloi dy ministri, atë të Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë;2. U arrit koalicioni i parë LDK-AAK, që njëherë e përgjithmonë, e fundosi idenë e ndarjes së krahut të luftës kundrejt atij të paqes;3. Më 9 mars 2005, duke dalë para drejtësisë ndërkombëtare, tregoi maturinë e lidershipit të vendit në fushën e sundimit të ligjit.
Pa asnjë mbështetje institucionale, Ramush Haradinaj, i vetëm dhe me dinjitet prej burrështetasi, e mbrojti UÇK-në dhe imazhin e vendit ndërkombëtarisht. E bëri këtë, duke i përmbysur 36 pika të aktakuzës shpifëse. Komuniteti ndërkombëtar mbeti i befasuar, me gatishmërinë dhe sakrificën e Gjeneralit dhe Kryeministrit. Më 2008, fitoi në Tribunalin e Hagës, u kthye në Kosovë faqebardhë e me dinjitet. Përkrahja e qytetarëve ishte e parezervë, ashtu siç ishte dhe është mirënjohja jonë për secilin pa dallim. Ishte koha e pas shpalljes së Pavarësisë, kur Qeveria e atëhershme ishte në piedestalin e saj. Në atë kohë, Kryeministri Haradinaj foli haptas për SHIK-un, diçka që të gjithë e dinin, por askush nuk fliste hapur dhe publikisht. Ishte koha, kur ne si opozitë flisnim hapur për defektet në shoqëri e qeveri. Më 2009, AAK fitoi, 18 për qind në nivel komunal, udhëhoqi me 5 komuna, me të cilat, atëherë e tash, nuk ka asnjë aferë korruptive. Më 2010, Haradinaj adresoi drejtpërdrejtë nevojën për bashkimin e Mitrovicës, dhe planin e tij. Atë vit, më kujtohet si sot ai vizitoi Veriun e Kosovës, duke dhënë shembullin se ai do të vepronte, do të printe, dhe nëse kërkohej, do të sakrifikonte. Ata që cenonin sovranitetin dhe ligjin, nuk guxuan t’i prenë rrugën, e as të bëjnë ndonjë marifet! Ishte po ky vit, kur na lutnin të hyjmë në Qeveri, duke na ofruar madje edhe pesë ministri, Presidentin, e shumë e shumë pushtet shtesë. Por Haradinaj kishte plane tjera, kishte shtetin para pushtetit. Jo rastësisht, pas vizitës së Haradinaj në veriun e Mitrovicës, me automatizëm pasoi ngritja edhe njëherë, e një aktakuzë me 8 pika, duke kërkuar rigjykim në Hagë. Diçka e paprecedent në drejtësi ndërkombëtare. Ai largohet nga Kosova me vendim politik të Prokurorisë, për ta lënë kështu jashtë deri më 29 nëntor 2012, kur edhe lirohet përfundimisht. Më 2012, u lansua ideja e ‘Tepihut të Kuq’ dhe bërjes së Ramush Haradinajt kryeministër, ishte ide dhe projekt i të tjerëve, ajo nuk vinte nga ai. Në atë kohë, ideja ishte që, duke qenë në krye të qeverisë të ndalen disa nisma të këqija, si ajo e Gjykatës Speciale, pra të bëhet diçka në Kosovë e jo jashtë. I liruar nga drejtësia ndërkombëtare, Ramush Haradinaj si kryeministër ishte model perfekt për këtë. Kjo nuk ndodhi, dhe ja ku sot, jemi në këtë temë. 2012-ta dhe 2013-ta, ishin vitet kur agjendat kundër shtetit tonë, ato të lindjes nën sponsorizim edhe nga Serbisë, po luftonin hapur për ta portretizuar Kosovën si vend ku gjoja po shtrihej radikalizmi islamik. Narracioni i synuar nga Serbia ishte të provonin që në mes të Evropës, shqiptarët t’i portretizonin si terroristë. Ju kujtohen disa protesta para Teatrit Kombëtar, ju kujtohet deklarata e Hardinajt për ‘fëlliqnanat’. Për Haradinaj, flliqana ishin të gjithë ata, që në një ose tjetër formë, me agjendë apo nga budallakitë, kishin rënë pre e këtij skenari. Ju kujtohet pastaj krejt ofensiva e Serbisë me ‘Shtëpinë e Verdhë’, dhe argatët në Kosovë. AAK, përsëri me një gjuhë të qartë, e goditën këtë skenar e narracion. Po ashtu, ju kujtohet kush iu doli përballë dhe kush e pagoi me çmimin elektoral. Të tjerët përfituan nga heshtja, kalkulimi e butësia, sikurse bëjnë në tema tjera edhe sot. Ndoshta nuk keni harruar, lufta që na është bërë në atë kohë, se AAK është parti anti-islame. Madje, disa patën shpërnda edhe fletushka, se si gjoja AAK qenka anti islamit. Kur të gjithë të tjerët heshtën, ne folëm, nuk e kalkuluam a i humbim goxha do vota, por ju dolëm përballë.
E, kur ndodhi përhapja e ISIS-i, e grupeve tjera, të gjithë u tmerruan. U tmerruan veçmas nga djem e vajza nga Kosova, që shkuan atje, me të cilët Serbia po ndërtonte argumente, pozicione e qëndrime kundër nesh, kundër Kosovës. Kundër kombit më të shquar multi-konfesional, me tolerancë e traditë. Kryeministri Haradinaj u tregua vizionar, asokohe u doli përballë. Pra, vëllezër e motra, nuk u dorëzuam për vota e as pak pushtet. Nuk u dorëzuam para lakmisë!
Më 2014, pas zgjedhjeve, prapë AAK-ja pati ofertë për pushtet, por vendosëm ta krijojmë koalicionin LAN, për të cilin u festua shumë në qytet. Për pak kohë, e përafruam edhe VV-në, për ta bërë VLAN-in. Po ashtu, ju kujtohet kur LDK-ja bëri ujdi, me manovrën mashtruese me PDK-në. Siç ishin pajtuar deri atëherë, me pafuqinë, e lanë vendin pa shpresë. Aty, dhe jo Kuvendi i Karrikeve, e lëshuan LDK-në e Presidentit Rugova, në rënien e lirë të saj. Më 2015 dhe 2016, u munduam shumë që të bashkëveprojmë me VV-në në shumë aktivitete politike e demonstrata. Ju kujtohet edhe kur Ramush Haradinaj shkoi me Stacion Policor, që ta shpëtojë Albinin nga arrestimi i ‘porositur’.
Ta themi edhe një, ne si AAK, në atë kohë patëm heqë dorë prej kandidatit për kryeministër, për të bërë një listë të përbashkët, vetëm për të bërë ndryshim, por kjo iniciativë nuk u pranua nga VV-ja. Pra, prapë hoqëm dorë nga pushteti për ndryshim, edhe me VV-në. Fillim viti i 2017-ës ishte vit i vështirë për AAK-në, na u ndalua në Colmar të Francës, padrejtësisht kryetari ynë, i cili u mbajt deri në Prill, kohë jo e lehtë, por prapë triumfuam. Në këtë vit, ndodhi Koalicioni PAN, opsion shumë jo elektoral dhe i dëmshëm për AAK-në. Edhe në këtë kombinim kompleks, Kryeministri Haradinaj:1. Pengoi ndarjen, nuk kalkuloi;2. Vendosi taksën, nuk kalkuloi;3. Themelimi i Ushtrisë, guxoi;4. Pavarësia Kosovën në fushën e Energjetisë;5. Hodhi hapin për konsolidimin e Trepçës.
Gjenerali me taksën dhe përballjen me Serbi, dha mesazh që Colmari dhe montimet tjera, nuk do ta ndërronin asnjëherë qëndrimin e tij për shtet e sovranitet. Po e ndali me kaq, meqë nuk kemi shumëçka për Qeverinë e Pandemisë, por duhet ditur një herë e mirë: AAK-ja dhe Ramush Haradianj kur përkulet para varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe heronjëve që dhanë gjakun, ka në zemër e mendje këto fakte:
Për 20 vjet qeverisje, ne ishim vetëm dy vite në qeveri, por me punë të mëdha; Themeluam Ushtrinë, Ndaluam ndarjen, Ndaluam Vuçiqin dhe Vuçiqat tjerë me taksën 100 %; Bëmë Autostradën Energjetike dhe Trepçën; Ligjin për Kryeqytetin; Rritjen e pagës për njerëz të ligjit e drejtësisë, për rreth 650 prokurorë e gjykatës; Bashkëpunimin politik ndër-partiak, për shtet; Bashkëpunimin dhe partneritetin me miq e aleatë, dhe jo pasivitetin e veprimin pa Agjendë. Kurrë nuk e lëvizëm kursin kombëtar, pro Amerikan e Euro Atlantik. Anëtarë të AAK-së, shumë prej jush jeni në mendime se çfarë kursi e drejtimi kemi mbajt, lexoni më lartë e shihni që për 21 vjet drejt kemi qëndruar. Ja kemi borxh vendit mos me u ndalë por me u rritë. Kështu edhe do të jetë! Urime!.