Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se janë suspenduar gjashte zyrtar policorë, njëri prej tyre me gradën kapiten, pasi ekziston dyshimi se dështuan të reagojnë bazuar në autorizimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur profesional, në një incident të ndodhur dje në orët e pasdites në Mitrovicën e Veriut, ku ishin të përfshirë pesë persona.
“Zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut kanë reaguar dje në orët e pasdites një rast të rrahjes në mes pesë personave të dyshuar në rrugën “Mbreti Petër”. Të dyshuarit e përfshirë në këtë incident janë shoqëruar në stacionin policor si dhe të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor”.
“Sidoqoftë, ekziston dyshimi se disa zyrtarë policorë kanë dështuar të reagojnë bazuar në autorizimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe nuk kanë reaguar në nivelin e duhur profesional në këtë incident”.
“Bazuar në këtë, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka suspenduar 6 zyrtarë policorë (në mesin e tyre edhe një zyrtar policor me gradën e kapitenit )”.
“Lidhur me rastin është i njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së në përputhje me autorizimet ligjore dhe fushëveprimin e Inspektoratit Policor kanë filluar një procedurë hetimore preliminare në koordinim edhe me prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftimin e IPK-së.