Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar tre persona në Fushë-Kosovë. E për arrestimin e tyre Policia e Kosovës hasi në vështirësi për shkak se refuzuan t’i binden urdhrave.
Në një video shihen disa policë teksa arrestojnë një person në rrugën Dardania të Fushë-Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.
Tutje, Krasniqi sqaron se të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë, një burrë dhe dy gra.
Gjithçka filloi në momentin kur policia kishte ndaluar një person i cili nuk po zbatonte masat anti-Covid.
Dy zyrtarë policorë dhe tre personat e tjerë më vonë kanë pranuar trajtim mjekësor.
“Sonte, më 20.08.2020, rreth orës 22:45, një patrullë policore derisa ka qenë duke patrulluar në rrugën ‘Dardania’ në F.Kosovë, në zbatim të masave për parandalim të përhapjes së pandemisë, ka ndaluar një qytetar i cili nuk ishte duke zbatuar vendimet e institucioneve shtetërore për parandalim të përhapjes së pandemisë. I njëjti ka qenë pa maskë dhe ka refuzuar, penguar dhe ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë në kryerje të detyrës. Në rast kanë ndërhyrë edhe dy femra. Policia ka shoqëruar në stacion policor tre persona (një mashkull e dy femra, shtetas të Shqipërisë). Dy zyrtarët policorë dhe tre personat e tjerë, kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u trajtuar edhe në këto çaste në polici”, ka thënë Krasniqi për Express.