Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli është sulmuar fizikisht nga person i dyshuar, derisa ishte duke pirë kafe në një lokal në Gjakovë.
Policia ka njoftuar se rreth orës 15:30, viktima (drejtori i Urbanizmit në KK Gjakovë), është paraqitur në Stacionin Policor për të raportuar një rast.
“Sot, me datë 03.04.2021 rreth orës 15:30, viktima e lartcekur (drejtor i urbanizmit në KK Gjakovë ) është paraqitur në St. Policor dhe i njëjti ka deklaruar se derisa ishte në një lokal aty kishte shkuar një person dhe i iu kishte drejtuar atij me fjalët “A nuk gjete dikujt tjetër, po bash dajës tim me ia bo qashtu a”, dhe pas këtyre fjalëve i njëjti e kishte goditur me boks viktimën duke i shkaktuar lëndime në hundë dhe ia kishte thyer syzet”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas zëdhënësit të Policisë, Nysret Xhurkaj viktima ka pranuar tretman mjekësorë.
Ndërkaq, sipas viktimës deri te konflikti kishte ardhur për shkak të një toke, ku i dyshuari pretendon se e njëjta është e dajës së tij dhe kërkon nga viktima që të mos ia jap dikujt tjetër për ndërtim. I dyshuari është ende në kërkim nga Policia.
Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestarë. Rasti është nën hetime ka deklaruar tutje zëdhënësi i Policisë Nysret Xhurkaj. /kallxo.com/.