Një sulm i armatosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një motel në Illinois të Shteteve të Bashkuara. Pasi vrau një person dhe plagosi dy të tjerë, sulmuesi i dyshuar e vrau edhe veten.
Sidoqoftë, para se t’i jepte fund jetës së vet, sulmuesi nuk u dorëzua për gjashtë orë i rrethuar nga policia. Ngjarja besohet se ndodhi rreth orës 1 pas mesnatës në Rockford.
Komandanti i policisë së qytetit, Dan O’Shea tha se policët i kanë gjetur tre persona në vendin e ngjarjes. Në mesin e tyre ishin dy gra dhe një burrë, të cilët kishin plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Burri u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa gratë u dërguan në spital.
Ky zyrtar tha se një ekip i njësisë speciale të policisë ka shkëmbyer shumë të shtëna me sulmuesin e dyshuar, i cili ishte izoluar në një dhomë.
Ai u gjet i vdekur rreth orës 6 e 45 të mëngjesit me një plag të vetëshkaktuar me armë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Policia tha se personat që ndodheshin në motel janë evakkuar dhe të gjithë njerëzit e zonës janë këshilluar që të qëndrojnë larg vendit ku ndodhi incidenti.