Policia finlandeze ka njoftuar se një person është vrarë dhe nëntë të tjerë janë lënduar gjatë një sulmi me thikë. Autoritetet e gjetën trupin e pajetë të një personi në një qendër tregtare në qytetin Kuopio.
Sipas të dhënave të policisë, dy prej personave të lënduar ndodhen në gjendje të rëndë. Raportohet se forcat e sigurisë tashmë e kanë arrestuar një person në vendin e krimit.
Besohet se sulmuesi ka qenë i armatosur me thikë dhe është në mesin e personave të lënduar.
Bazuar në raportimet e medieve lokale, sulmuesi është përpjekur që të futet në një shkollë trajnuese, e cila ndodhet brenda kompleksit tregtar “Herman”.
Agjencia lokale e lajmeve, STT, ka raportuar se nëntë persona janë dërguar në spital për shkak të plagëve.
“Policët përdorën armë zjarri gjatë sulmit dhe e kanë ndaluar një sulmues. Personat e lënduar janë evakuuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ministrja e brendshme e Finlandës, Maria Ohisalo, tha se kjo ngjarje është tronditëse dhe shprehu ngushëllime për viktimat dhe të afërmit e tyre.
Qyteti ku ndodhi sulmi, Kuopio, shtrihet rreth 320 kilometra në veri të kryeqytetit Helsinki, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.