Orët e para të mëngjesit të sotëm disa persona ia kanë mësyer ta grabisin një filial të bankës “TEB” në Suharekë. Intervenimi i shpejtë i Policisë ka bërë që plani i të dyshuarve të dështojë, mirëpo ata kanë arritur t’i ikin Policisë, duke u larguar me shpejtësi.
Detajet e deritashme për rastin i ka treguar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Është shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Rreth orës 03:45 të mëngjesit disa persona të dyshimtë kanë provuar të hyjnë në bankë dhe e kanë dëmtuar derën hyrëse të bankës “TEB” në rrugën “Brigada 123″ në Suharekë, mirëpo nuk kanë arritur të marrin diçka apo të vjedhin sepse Policia ka reaguar menjëherë dhe të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Osmanollaj.
Të dyshuarit kishin tentuar që përmes eksplozivit ta thyejnë derën hyrëse të bankës për t’u futur brenda. Megjithatë, alarmi i bankës është ndezur dhe disa policë kanë intervenuar me shpejtësi për ta parandaluar grabitjen.
“Dera hyrëse është dëmtuar me eksploziv. Policia ka intervenu menjëherë kur është ndezë alarmi i bankës dhe është njoftu Policia”, ka treguar Osmanollaj.
Tentim-grabitësit kanë arritur t’u shpëtojnë prangave, pasi që policët që shkuan të parët në vendin e ngjarjes ishin në këmbë dhe jo me automjet.
“Policia brenda 2-3 minutave ka reaguar mirëpo për faktin se policët kanë qenë në këmbë, të dyshuarit kanë arritur të ikin me automjet”, ka thënë Osmanollaj.
Policia është në vendin e ngjarjes. Për rastin është njoftuar prokurori, ndërkaq të dyshuarit janë shpallur në kërkim nga Policia rajonale e Prizrenit.