Pacientët e prekur nga sëmundja mund të mos shërohen për më shumë se një muaj dhe 20 për qind e testeve negative mund të jenë të pasakta, thuhet në një studim të publikuar të martën në revistën “British Medical Journal”.
Dr. Francesco Venturelli nga Universiteti i Modenës dhe kolegët e tij i studiuan rastet e 1,162 pacientëve në provincën Reggio Emilia të Italisë, të cilët dolën pozitivë në testin PCR për Covid-19, shkruan CNN
Pacientët u ritestuan rreth 15 ditë pas testimit të parë, 14 ditë pas testimit të dytë dhe nëntë ditë pas testimit të tretë. Hulumtuesit i caktuan këto intervale kohore sipas rekomandimeve të Qendrës Evropiane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Sipas hulumtimit, pacientëve më të moshuar dhe atyre që vuajnë nga sëmundje të rënda mund t’u nevojitet më shumë kohë për t’u shëruar plotësisht nga virusi.
Koha mesatare e shërimit për personat nën moshën 50-vjeçare ishte 35 ditë, ndërsa për personat mbi moshën 38-vjeçare, kjo kohë ishte 38 ditë.
Ekipi i shkencëtarëve theksoi se të kuptuarit e kohës së shërimit është jetik për përcaktimin e strategjive të testimit dhe për t’u siguruar që njerëzit të mos qëndrojnë pa nevojë në izolim për kohë më të gjatë.
Sipas Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, personat e prekur nuk kanë nevojë për t’u testuar dy herë.