Zyrtarët e Dhomave të Specializuara tashmë kanë dalë nga takimi me kryetarin e OVL-UÇK, nënkryetarin, Nasim Haradinajn.
Në këtë takim mori pjesë edhe avokati Tomë Gashi, të cilin OVL-UÇK e ka autorizuar që t’i mbrojë përballë zyrtarëve të Gjykatës Speciale.
Para medieve Gashi tha se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale dhe prandaj ata po kërkojnë që t’i marrin ato, shkruan Reporteri.net.
Sipas Gashit, kjo vërtetohet në bazë të logos në dokumente, si dhe zyrtarët e Speciales kanë pasur me vete dokumentin origjinal.
Gashi ka bërë të ditur se kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka vendosur që me këshillën e avokatit, këto dokumente t’ia dorëzojë Speciales.
Kujtojmë se para takimit nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, në një konferencë për medie tha se kësaj radhe nuk ua japin dosjet pa praninë e Policisë së Kosovës, ose siç thotë ai, pa i tërhequr zvarrë.
“Mbrëmë rreth orës 19:00 na ka telefonuar dikush nga Dhomat e Specializuara dhe na ka paralajmeruar se do të vijnë t’i marrin dosjet. Herën e parë ua kemi dhënë, kësaj radhe jo pa Policinë e Kosovës ose nëse na ngrehin zhag.”, tha Haradinaj para medieve.
Pakoja e parë me dosje të Gjykatës Speciale, të cilat mbanin emrat e dëshmitarëve, u sollën më datën 7 shtator, ndërsa dosjet tjera erdhën dje.