Pas grevës 1-javore, Trafiku Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga sot, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh nga sot.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.
Punëtorët e Trafikut Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.
Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave.
Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.













