Sot bëhen 23 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan që ndryshe njihet si “Epopeja e Dukagjinit”.
Gjatë ditës së sotme, që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit, do të ketë disa aktivitete.
Sipas një njoftimi të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të AAK-së, kryetari Ramush Haradinaj në nder të Epopesë së Dukagjinit do të bëjë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe forcave të armikut të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj.