Dorëzohen për rivarrim sot mbetjet mortore të Osman (Abedin) Osmanit dhe Rexhep (Zukë) Rexhepit, të identifikuar muaj më parë nga mostrat e dërguara për analizë të ADN-së,
Mbetjet mortore të dy viktimave të luftës janë gjetur dhe zhvarrosur gjatë gërmimeve muaj më parë në Syriganë.
“Pas njoftimit zyrtar të familjeve për identifikimin e Osman Osmanit dhe Rexhep Rexhepit, familjet kanë kërkuar që ceremonia e rivarrimit të organizohet sot, nga ora 16:00 në varrezat e fshatit Syriganë. Rivarrimi sipas kërkesës së familjes do të bëhet pikërisht me datë 8 qershor, që përkon me datën e rrëmbimit dhe zhdukjes së dhunshme të tyre nga forcat policore serbe në vitin 1998”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.
Çështja e mostrave të mbetjeve mortore të zhvarrosura gjatë këtyre muajve është diskutuar edhe në takimin e organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në fund të javës së kaluar në Beograd, Serbi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur dhe Komisionit të Serbisë për Persona të Zhdukur.
Në këtë rast, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për pesë identifikime të reja nga mostrat që janë dërguar nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, për të cilat tanimë janë dërguar raportet e identifikimit përmes analizës së ADN-së dhe për këto të dhëna janë duke u njoftuar familjet e personave të identifikuar.
Gjithashtu nëpërmjet komunikatës është konfirmuar se mostrat nga mbetjet mortore të zhvarrosura gjatë këtij viti nga varreza masive në Kizhevak, tanimë janë në laboratorët e KNPZh-së në procedurat për identifikim.