Sot në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Pjetër Shalës.
Kështu kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Kjo është komunikata e plotë e Dhomave të Specializuara:
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Reklamë
“Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”
Paraqitja e parë e Shalës do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake siguron respektimin e të drejtave të të akuzuarit, përfshirë të drejtën për përfaqësim ligjor dhe se i akuzuari i kupton akuzat kundër tij ose saj.