Pas 21 dështimeve, Kuvendi i Kosovës edhe sot do të mblidhet në përpjekjet e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhje e 9 shkurtit.
Seanca është planifikuar të nisë nga ora 11:00.
Herën e fundit, më 25 maj, për të 13-ën herë dështoi formimi i një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë, që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, po këmbëngul në kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, e cila nuk po gjen mbështetje nga partitë tjera. Këto parti i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes që të ndërrojë kandidaten dhe në vend të Haxhiut të kandidohet “një figurë konsensuale”.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.