Situata në veri vazhdon të jetë e njëjtë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që çdo automjet që hyn në Kosovë nga Serbia të ketë të vendosura targat e përkohshme.
Serbët për të kundërshtuar këtë vendim vendosën barrikada të shumta në rrugët që çojnë drejt pjesës kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, duke i lënë të bllokuar këto dy pika kufitare tash e dhjetë ditë,
Ata kanë vazhduar të qëndrojnë edhe gjatë natës së mbrëmshme në këto dy pika kufitare, ku situata aktualisht vazhdon të jetë e qetë.
Në përpjekje për të shtensionuar situatën, një takim i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë do të mbahet sot në Bruksel.
Besnik Bislimi, zëvendës kryeministër në Qeverinë Kurti, do të udhëheq delegacionin e Kosovës, i cili do të takohet me atë serb që udhëhiqet nga Petar Petkoviq.
E prezent pritet të jetë i dërguari special i BE për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajçak.
Krahas tij, në takimin e së mërkurës që organizohet pas eskalimit të situatës për targa, do t’i bashkohet edhe Gabriel Escobar, zëvendës sekretar i Departamentit amerikan të Shtetit.