Deputetët pritet të mblidhen sërish sot nga ora 11.00 në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
Kjo dhe shënon tentativën e 32-të të parlamentarëve.
10:55 – Salihu: Me Albin Kurtin e VV-në edhe në të kaluarën ka pasur kriza dhe bllokada
Sot deputetët e betuar do të mblidhen për herën e 32-të për ta konstituuar Kuvendin.
Para nisjes së seancës ka folur deputetja nga radhët e PDK-së, Arbnora Salihu.
Ajo deklaroi se edhe në të kaluarën me Albin Kurtin ka pasur kriza dhe bllokada.
“Me të thënë të drejtën nuk e kam menduar. Kam pritur që herën e parë ka me u konstituu edhe kemi me pasë mundësi me punu. Por, duke e ditur se fitues i zgjedhjeve është Albin Kurti dhe partia e tij, atëherë kriza edhe bllokada ka pasur edhe në të kaluarën”, tha ajo para mediave.
10:54 – 2 muaj nga seanca e parë konstituive, Guri: Fatkeqësi çka është duke ndodhur
Deputeti i betuar i LDK-së, Paris Guri është deklaruar pak para seancës së 32-të konstituive.
Ai thotë se nuk e ka menduar që një seancë e tillë do të zgjaste kaq shumë, transmeton Klankosova.tv.
“Për besë nuk është ndjenjë e mirë me ardh edhe për herën e 32-të me tentu me e zhblloku situatën, është fatkeqësi çka është duke ndodhur. Por i takon të parit me dalë nga situata, kështu që po presim”, u shpreh Guri.
10:47 – Kur do të përfundojë konstituimi i Kuvendit? Haxhiu: Varet nga opozita
Kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu është deklaruar shkurtimisht para nisjes së seancës së 32-të të Kuvendit.
Sot janë bërë 2 muaj që nga përpjekja për të arritur një rezultat të tillë, dhe Haxhiu thotë se përfundimi me rezultat pozitiv varet nga opozita, transmeton Klankosova.tv.
“Varet nga opozita”, u shpreh shkurt Haxhiu.
10:38 – Kadrijaj thotë se VV-së po i pëlqen bllokada në Kuvend: Nuk po shohim angazhim
Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se nuk e ka menduar që do të zgjasë kaq shumë konstituimi i Kuvendit.
“Nuk po shohim ndonjë angazhim, përkundrazi po shohim që po iu pëlqen kjo bllokadë”, u shpreh Kadrijaj, transmeton Klankosova.tv.
Tutje ajo thotë se janë ende në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.














