Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se i janë përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha pyetjet – për aq sa edhe kishin kompetenca.
Kjo për faktin Dhomat e Specializuara me 8 tetor të vitit të kaluar kërkuan nga Policia detaje nëse ata mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Mehmeti ndonëse nuk dha detaje në një intervistë për EO thotë se Policia e Kosovës nuk ka ndonjë detyrë nga Gjykata Speciale në kuptim të hetimeve sepse ato i zhvillon Prokuroria.
“Ne iu kemi përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha kërkesat që i ka bërë. Natyrisht kërkesat që i ka bërë Gjykata Speciale ndaj Policisë së Kosovës janë të natyrës konfidenciale që nënkupton që nuk mund të flas për detaje, por ajo çka mund të iu konfirmoj është se Policia e Kosovës i është përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha pyetjet që janë shtruar dhe do t’i përgjigjet jo vetëm Gjykatës Speciale por cilësdo prokurori, dhe cilësdo gjykatë qoftë të vendit, qoftë ndërkombëtare për aq sa ka kompetenca”.
“Ne nuk kemi ndonjë detyre nga Gjykata Speciale në kuptim të hetimeve apo të ngjashme ato i zhvillon prokuroria kështu që Policia ka marrë disa kërkesa dhe në ato kërkesa është përgjigjur”, tha Mehmeti.