Nga Blerta Ahmeti
Një banor i qytetit të Pejës u kërcënua me armë zjarri dhe u ndoq për rreth 30 minuta rrugëve të qytetit nga disa persona të panjohur për të.
Ai gjatë rrugës së ikjes lajmëroi policinë e Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk iu përgjigjën thirrjes së tij, për më tepër e shanë përmes telefonit.
Kur shkoi në polici për të dhënë deklaratë, viktima tregoi se një nga policët që e intervistonte qëlloi të ishte i afërm i sulmuesit.
Ai i kishte bërë presion për ta ndryshuar një pjesë të deklaratës.
Albanian Post ka kontaktuar policinë në Pejë për këtë rast.
Zëdhënësi i Policisë, Driton Rugova, ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Si ndodhi rasti?
Shpëtim Shala nga Peja, kishte dalë në kohë të syfyrit për të blerë diçka në market. Rreth orës 2 natës, të hënën, ai ishte ndalur tek market “Hello” në afërsi të stacionit të trenit në Pejë.
“Ishte një golf 7 i parkuar, e unë u ndala pas tij. Nuk e dita as kush janë as nuk i njofta as nuk kisha asgjë me ta. Jam kthyer të flas me një shok që e kisha në veturë, se çka po marrim për të prirë. Ka ardhur një person ma hapi derën e veturës dhe nxori armën nga beli. Me erdhi papritur, thash ‘a je tu më lyp mu, a po më njeh a çka është problemi?’”, tregon Shala rrëfimin e tij për Albanian Post.
Vend parkimi i Shpëtim Shalës, kur u sulmua nga persona të pa njohur me armë e shufra metali, Pejë
“Mandej i kom pa edhe 4-5 persona të tjerë duke ardhur me shufra të metalit, duke ardhur në drejtim tim. Unë nuk dita si të reagoj, e kam ndezë veturën dhe jam nis, e kam mbyll derën e veturës. Ika se u frikësova po më ndodhë diçka, ata kanë mund me më rrahë a çka po di unë”, tregon Shpëtim Shala.
Shala thotë se rrugës në ikje, ka telefonuar Policinë e Kosovës në numrin 192. Deri sa po përpiqej t’u ikte sulmueseve të cilët po e ndiqnin nga pas.
“Policia njëherë menduan që jam duke i gënjyer, mandej më thanë hajde kah stacioni i policisë e ki patrullën te rrethi. Jam kthyer, kam shkuar aty ku më thanë, jam sille të rrethi 4 – 5 herë, askund nuk pash patrullë të policisë edhe vazhdova”.
“Pastaj më thanë nisu kah rrethi i spitalit, aty ke një patrullë, unë i dëgjova dhe u nisa të shkoj në atë drejtim, por as aty nuk takova asnjë polic, asnjë veturë të policisë”, vazhdon rrëfimin Shala.
“I stresuar dhe i nervozuar unë e di që jam shprehur keq, por ishte nga situata që gjendesha, i thash ‘a po zajabateni me mua apo çka?’”.
Pas kësaj, Shala thotë se dëgjoi një të sharë nga dikush në anën tjetër të telefonit.
“E një aty u dëgjua kur më tha – nuk jemi tu të zajabatë he nanën ta shk******* – unë e dëgjova, shumë mirë e dëgjova. Nuk më shau polici që po fliste me mua, por dikush tjetër aty, që mund të ketë qenë një polic tjetër, por nuk e di kush. Mandej pyeta – kush më shau aty? Nuk foli askush, asnjë nuk më dha përgjigje, në ndërkohë unë isha duke e ngarë makinën shpejt, me një dorë, e me tjetrën në telefon me policinë”.
“Gati 30 minuta meta tu u sill rrugëve të Pejës edhe askush nuk u mor me mu, ai sulmuesi ka mundur të më vras”.
Më pas, Shala thotë se për t’u ikur atyre që po e ndiqnin, ka hyrë në shesh të Pejës me veturë, që njihet si “korza e Pejës”, ku pas 2-3 minutave ka ardhur policia.
Situata në Stacionin Policor të Pejës
Me të shkuar në stacion të policisë në Pejë, Shala tregon se u intervistua nga disa zyrtar policorë.
Sipas tij, tre nga zyrtarët policorë që po merreshin me të “insistonin që sulmuesi nuk kishte armë, në momentin kur më ndaloi tek marketi”.
“Unë isha viktima aty e ata u munduan ta mbronin atë sulmuesin. Unë ju tregova që ka pas armë, një polic aty më tha ‘jo s’ka pas armë, je ka rren e s’po na tregon drejt’. Ja nisën me më bë presion, donin me më shti me thanë që ai s’ka qenë me armë. T’u u tutë mos me deklaru qysh o kanë rasti”, rrëfen Shala.
Por më vonë, gjatë deklaratës, Shala thotë se e kuptoi shkakun e këtij presioni.
“Një polic më tha ‘a e njeh me pa’, thash ‘po’. Mandej ma treguan një foto, thash ‘po ky është’. Ai polici tha F.Çeku është, e mandej më tha që ky sulmuesi është djali i axhës së atij kolegut, policit Kastriot Çeku. Aty e morra vesh unë që janë familjar mes vete”.
Sulmuesi i Shpëtim Shalës
“Donin me shkru rastin veç ngacmim e diçka të vogël, por unë ju thash nuk ka qenë ngacmim, por sulm me armë, ai ka mund edhe me më vra se ka qenë i dehur”. Por, megjithatë rasti, tregon Shala, është inicuar vetëm si ngacmim.
Shala thotë se ngado nga ka lëvizur me veturë, duke filluar nga marketi, ka kamera të sigurisë të cilat mund të vërtetojnë deklaratën e tij.
I dyshuari dërgohet në mbajtje, viktima të ankohet në IPK për zyrtarët policorë
I pyetur nga Albanian Post, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Driton Rugova ka thënë se nuk qëndrojnë asnjë nga pretendimet e palës së dëmtuar në këtë rast.
“Nuk besoj që ka ndodhë ajo, sepse askush nuk i thotë askujt me ndërru deklaratë. Në Kosovë krejt e kemi nga një familjar diku t’u punu. Me pas qenë ashtu policia nuk e kish ndalë fare, por ja që i është ndalu dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Rugova.
Por, nëse i dëmtuari në këtë rast do ta dërgojë rastin e keqtrajtimit të zyrtarëve policorë edhe më tej, mund të bëj një denoncim në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
“Ndërsa pala e dëmtuar në këtë rast, nëse ka ankesa, ka të drejtë të lajmëroj rastin në Inspektorat të Policisë së Kosovës. Nëse konsideron që ju ka bë e pa drejtë, e kanë shti me ndërru deklarate e çkado që i ka ndodhë”.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari F.Çeku është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rugova ndër të tjera, ka thënë se “Policia nuk ka të drejtë të bëj asgjë më shumë në këtë drejtim”.
I dëmtuari, Shpëtim Shala, të hënën gjatë ditës, ka deponuar një ankesë elektronike në llogari të Inspektoratit Policor të Kosovës, për keqtrajtimin që i bënë zyrtarët e policisë në këtë rast.
Albanian Post ka provuar të kontaktoj me zyrtarët e këtij institucioni, por për shkak të festës së Pashës Ortodokse, institucionet shtetërore janë në pushim.