Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitita, me zëvendësin e tij dhe sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vdekjen e të riut 26 vjeçar nga Gjilani, i cili ishte karantinuar në Qendrën e Studentëve, pasi kishte ardhur nga Gjermania.
Ministri Vitia deklaroi se do të kërkojnë detaje të hollësishme rreth ardhjes së 26-vejcarit nga Gjermania dhe vendosjes së tij në karantinë.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se ata që deklarojnë që kanë sëmundje, ekzaminohen nga ekipet dhe lirohen, ndërsa për qytetarin që vdiq dje, ai tha se nuk ka pasur asnjë dokument që dëshmon se vuan nga ndonjë sëmundje.
Por, kjo deklaratë e sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton të jetë e pavërtetë dhe demantohet nga vetë regjistri zyrtar të cilin e ka siguruar Lajmi.net, ku te numri rendor 71 figuron emri i të ndjerit Agon Musliu, i lindur më 30 dhjetor 1994, ndërsa te komenti i personit përgjegjës që e ka verifikuar, thuhet qartë se ai kishte probleme shëndetësore dhe se posedonte edhe vërtetim.
Po ashtu, Lajmi.net mëson se dy personat e tjerë, që në këtë listë figurojnë me probleme shëndetësore janë liruar nga karantinimi, kurse i ndjeri Agon Musliu është mbajtur, përkundër vërtetimit që u kishte paraqitur.