Tre pjesëtarë të sigurimit në Qendrën e Mbajtjes së të Huajve në Vranidoll të Prishtinës mbetën të lënduar mbrëmjen e 8 marsit, teksa u sulmuan nga 10 shtetas të huaj të vendosur në këtë Qendër.
Qëllimi i emigrantëve të vendosur në këtë Qendër, e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ishte të arratiseshin nga aty, gjë të cilën edhe ia dolën.
Megjithëse kjo qendër thuhej se ishte hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme për t’i shërbyer Policisë së Kosovës që “gjatë punës së tyre në terren, qytetarët që ndalohen në mungesë dokumentacioni, të dërgohen në këtë qendër për arsye të sigurisë publike”, mbrëmjen e 8 marsit, siguria nuk dukej se ishte në nivelin e duhur.
Policia e Kosovës kishte arrestuar një ditë më pas dy nga të arratisurit, të cilët i ktheu përsëri në qendër, dhe për të cilët nuk dihet ende nëse janë ndërmarrë masa disiplinore.
Telegrafi ka kërkuar dy herë leje nga Ministria e Punëve të Brendshme për të kontaktuar me drejtorin e kësaj qendre për më shumë detaje rreth rastit, por dy herë ka marrë përgjigje negative.
Sipas rregullores së Ministrisë së Punëve të Brendshme nr. 03/2014 për funksionimin e Qendrës për Mbajtjen e të Huajve, parashihen që “pasi të konstatohet arratisja apo tentativa për arratisje, menjëherë njoftohet udhëheqësi i Qendrës, i cili merr masa të menjëhershme për njoftimin e stacionit më të afërt policor dhe DMH-së”.
Kjo procedurë si duket ka shkuar mirë pasi Policia në përgjigjen dërguar Telegrafit ka njoftuar se rasti ishte hapur në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë dhe ishte iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Policia po ashtu konfirmoi se dy nga personat e arratisur janë arrestuar dhe janë kthyer po në këtë qendër.
“Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dhjetë (10) persona të dyshuar, të cilët pasi kanë shkaktuar lëndime trupore tre (3) pjesëtarëve të sigurimit dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me datë 09.03.2021 dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit, janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të huaj në fshatin Vranidoll, ndërsa tetë (8) të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Telegrafin.
Sipas informacioneve rojat e kësaj Qendre kanë shpëtuar me më pak lëndime për shkak se më shumë janë mbrojtur.
Në këtë institucion shërbimi i sigurimit mund të përdorë forcën vetëm si mjet të fundit.
Kështu të paktën thuhet në rregulloren e Ministrisë së Punëve të Brendshme nr. 03/2014 për funksionimin e Qendrës për Mbajtjen e të Huajve.
Në nenin 21 të kësaj rregulloreje theksohet se “Shërbimi i sigurimit mund ta përdorë forcën vetëm si mjet të fundit, nëse kjo është e nevojshme për vetëmbrojtje, mbrojtjen dhe sigurinë e të huajit ose për mbrojtjen e rendit të përgjithshëm dhe sigurisë brenda Qendrës”.
“Përdorimi i forcës duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i arsyeshëm për qëllimet e nevojshme dhe çfarëdo përdorimi i forcës duhet t’i raportohet udhëheqësit të Qendrës”, thuhet në rregullore.
Kjo Qendër me kapacitet për 70 persona, ishte hapur në qershor të vitit 2015 nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit që ishte bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhej se “kjo qendër ka nivel të caktuar të sigurisë dhe kufizim të lëvizjes, në të cilën mbahen të huajt që janë subjekt i largimit me forcë nga territori i Republikës së Kosovës”.
Aty përmendej edhe fakti se kjo Qendër e Mbajtjes për të Huaj ka Rregullore të veçantë për funksionimin e brendshëm të Qendrës (MPB,Nr.03/2014).
“Kjo Rregullore garanton të gjitha të drejtat dhe detyrimet e të huajve të ndaluar, akomodimin, shërbimin shëndetësorë, rekreacionin, sigurinë” thuhej në njoftim.
Po ashtu, MPB-ja sqaronte atëherë se “duke i përmbushur kriteret për të drejtat e trajtimit njerëzor, qendra është e ndarë ne disa blloqe të veçanta, ku ka të caktuara pjesët e veçanta të akomodimit/ndalimit për meshkuj, për femra, trajtim i veçantë për viktimat e trafikimit me njerëz, dhomat e veçanta për familje, duke garantuar maksimalisht privatësinë e tyre, dhe hapësirat e akomodimit për fëmijët e pashoqëruar”, thuhej në njoftim.
Telegrafi ka kërkuar për herë të tretë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të na jap informacione në lidhje me administrimin e kësaj Qendre, a ka personel të mjaftueshëm dhe të trajnuar dhe a i plotëson kushtet për të qenë Qendër e Mbajtjes, por ata nuk kanë kthyer ende përgjigje.